Deputeti Bardh Spahia ka reaguar ndaj ministres së Shëndetësisë Ogerta Manastirliu dhe shprehet se ajo gënjen sërish dhe zhytet më thellë në atë që ai e quan skandali i rritjes së tarifave të shërbimit dentar.
Vetë Manastirliu ka deklaruar se çmimi i shërbimeve dentare nuk do të rritet dhe se ministria ka dërguar në gjykatë një kërkesë padi për shfuqizimin e vendimit të Asamblesë Kombëtare të Urdhrit të Stomatologëve për miratimin e listës së çmimeve dysheme të tarifave dentare. Spahia thekson se Manastirliu ka reaguar vetëm pasi PD denoncoi këtë vendimarrje.
“Boll me këtë teatër të lënies së përgjegjësisë vetëm tek Nikollë Deda i partisë, ish kandidati për deputet, sot kryetar i Urdhërit të Stomatologut! Sic e thua vetë në statusin tënd, ke pasur dijeni zonja ministre! Se përse nuk ke vepruar, por ke heshtur, këtë mund t’ia sqarosh edhe gjykatës, përvecse qytetarëve!”, shprehet Spahia.
STATUSI I PLOTË
Ah moj Ogerta, që duke u përpjekur të dalësh nga gënjeshtra me gënjeshtra të tjera, thjesht zhytesh më thellë!
Përgjigju qytetarëve të cilëve u ke pranuar zyrtarisht me këtë status, se kishe dijeni për vendimin e 6 dhjetorit: përse nuk veprove menjëherë zonja ministre kundër atij vendimi të paligjshëm? Nëse vërtetë sic thua, përfaqësuesja e ministrisë ka qenë kundër, e nuk ka votuar, atëherë përse heshte Ogerta Manastirliu përballë këtij vendimi të paligjshëm, që cënon qytetarët e këtij vendi? Po përfaqësuesi tjetër i yti në Këshillin Kombëtar të Urdhërit të Stomatologut, nga Fondi i Sigurimit të Detyrueshëm të Kujdesit Shëndetësor, ku je vetë zonja ministre, kryetare e këshillit administrativ?
Boll me këtë teatër të lënies së përgjegjësisë vetëm tek Nikollë Deda i partisë, ish kandidati për deputet, sot kryetar i Urdhërit të Stomatologut! Sic e thua vetë në statusin tënd, ke pasur dijeni zonja ministre! Se përse nuk ke vepruar, por ke heshtur, këtë mund t’ia sqarosh edhe gjykatës, përvecse qytetarëve!