Banorët e Unazës së Re kanë dalë sot në protestë në ditën e 85-të të qëndresës së tyre.
Banorët kanë bllokuar rrugën dhe bëjnë thirrje për anulim të projektit për zgjerimin e rrugës nga sheshi Shqiponja ke pallati me shigjeta.
Ata i kërkojnë qeverisë dhe ministres Balluku që të anulojë edhe dy lotet e tjera të rrugës pas pezullimit të njërit prej segmenteve.
Banorët kanë 85 ditë që rezistojnë kundër prishjes së banesave të tyre. Projekti u pezullua për njërin nga lotet pas publikimit të falsifikimit të dokumenteve të tenderit.
Prokuroria ka nisur hetimet dhe ish-kreu i ARRSH-së, Qendro, është thirrur në prokurori për të dëshmuar lidhur me projektin në fjalë.
Deputetët e opozitës i janë bashkuar protestës së banorëve që prej fillimit të saj dhe shprehin mbështetje për kërkesat e tyre. Ata i kanë kërkuar qeverisë që të anulojë projektin të cilin e ka emërtuar si megaaferë dhe megavjedhje nga ana e qeverisë.