Një shqiptar ka humbur jetën si pasojë e një aksidenti. Aksidenti tragjik ndodhi mbrëmjen e së shtunës në Agazanna të Italisë.
Mediat italiane shkruajnë se Klodian Murrizi, 22 vjeç, po udhëtonte me një makinë tip Toyota Rav 4, kur mjeti humbi kontrollin dhe u përmbys duke dalë nga rruga.
Pas përmbysjes, fuoristrada shpërtheu në flakë duke i marrë jetën shqiptarit me banim në Gossolengo të Italisë.
Përveç shqiptarit që humbi jetën, në makinë ndodhej edhe një person tjetër rreth moshës 22 vjeçare, i cili është dërguar në spital në gjendje të rëndë për jetën.
Pas mbërritjes së ekipit zjarrfikës në vendngjarje është bërë e mundur fikja e flakëve të zjarrit në mjet.
Autostrada ku ndodhi aksidenti për pasojë është mbyllur për disa orë, derisa situata u normalizua.