Partia Demokratike i ka kërkuar Komisionit të Pavarur të Kualifikimit që të mos e lejojnë shefen e Krimeve të Rënda, Donika Prela, që ta kalojë vettingun.
Në një dalje për mediat nga selia blu, deputeti Alibeaj tha se Prela është takuar në fund të vitit të shkuar në mjediset e Krimeve të Rënda me një nga komisioneret e vettingut, Valbona Sanxhaktarin duke qenë në konflikt të pastër interesi, takim që mund të vërtetohet nga kamerat e sigurisë.
Ndërsa më tej ai tha se Prela është pjesë e dosjes 339 për bandën e Avdylajve, pasi Prela si shefe e Prokurorisë së Durrësit kishte liruar nga burgu Astrit Avdylajn edhe pse ai akuzohej për armëmbajtje pa leje.
Deklarata e Alibeajt
Rasti i drejtueses së Prokurorisë së Krimeve të Rënda Donika Prela po konfirmon se Komisioni i Pavarur i Kualifikimit është një vegël në duart e pushtetit për të mbajtur në sistem prokurorë dhe gjyqtarë të korruptuar.
Në dosjen e Donika Prelës ka dokumenta që provojnë se miliona lekë nga pasuria e saj janë të pajustifikuar, se bashkëshorti i saj dyshohet për pastrim parash dhe se, në rastin më të mirë, ai ka punuar në të zezë.
Operacioni Ndërkombëtar i Monitorimit bëri një përpjekje të lavdërueshme për të hedhur dritë mbi aktivitetin e paligjshëm të Donika Prelës, por Komisioni i Pavarur i Kualifikimit është urdhëruar të mbajë në sistem një tjetër prokurore të korruptuar, të shantazhueshme nga politika dhe nga bandat.
Përpara se të japë vendimin për Donika Prelën, Komisioni i Pavarur i Kualifikimit ka për detyrë të verifikojë dy informacione të reja për Drejtuesen e Prokurorisë së Krimeve të Rënda.
Së pari, të konfirmojë që Donika Prela, në konflikt të hapur interesi, është takuar gjatë periudhës që ishte nën veting me anëtaren e trupës së vetingut, Valbona Sanxhaktari. Për lehtësi pune, i sugjerojmë Komisionit të Pavarur të Kualifikimit të kërkojë kamerat e Sigurisë së Prokurorisë së Krimeve të Rënda në muajt nëntor dhjetor.
Së dyti, organet e vetingut duhet t’i japin përgjigje pyetjes: a është Donika Prela pjesë e dosjes 339, e kapur në përgjim me bandën e Avdyljave duke biseduar me kreun e bandës Astrit Avdylaj?
Përgjimet e dosjes 339 janë bërë në kohën kur Donika Prela drejtonte Prokurorinë e Durrësit dhe Astrit Avdylaj u arrestua për armëmbajtje pa leje, por më pas u lirua si i pafajshëm.
Komisioni i Pavarur i Kualifikimit ka përgjegjësinë të bëjë verifikim të plotë për Drejtuesen e Prokurorisë së Krimeve të Rënda. Një prokuror i korruptuar dhe me lidhje me krimin e organizuar nuk mund të japë drejtësi!
Organet e vetingut kanë përgjegjësinë të mos lejojnë që një prokurore me pasuri të pajustifikuar, e dyshuar për lidhje me krimin e organizuar të drejtojë strukturat më të rëndësishme në luftën kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit.