Partia Demokratike ka vendosur që të kërkojë anulimin e Ligjit për Arsimin e Lartë, një nga 8 kërkesat e bëra nga studentët që prej nisjes së protestës së tyre në fillim të muajit dhjetor.
Vendimi është marrë në mbledhjen e fundit të grupit parlamentar të Partisë Demokratike. Tjetër vendim që u mor në mbledhjen e sotme është pjesëmarrja pjesërisht në punimet e Kuvendit.
“Aty ku ka kalendar me çështje sensitive për qytetarët do shkojmë. Arsimi në Shqipëri është në kolaps total. Duhet të angazhojmë gjithë kapacitetet tona për arsimin. Duhet të jemi të qartë. Qëndrimi ynë eshte anulimi i ligjit të arsimit të lartë. Për platformën e arsimit të lartë të angazhohen, ish-ministra arsimi, deputetë aktuale, pedagogë. Duhet të jemi të angazhuar totalisht për zinxhirin arsimor.” – ka thënë Basha.
Anulimi i Ligjit për Arsimin e Lartë është një nga kërkesat e studentëve protestues dhe e pedagogëve të Universitetit të Tiranës, të cilët i kanë dhënë kohë qeverisë shqiptare deri në javën e parë të muajit shkurt, në të kundërt i bashkohen protestës së studentëve.