Partia Demokratike, ka kërkuar anulimin me shpejtësi brenda muajit janar të disa koncesioneve të qeverisë, për ta shpëtuarvendin nga kolapsi financiar.
Qëndrimi është bërë i ditur nga kreu i grupit parlamentar të PD-së, Spaho, në mbledhjen e Komisionit të Ekonomisë.
Ai tha se qeveria është e detyruar të ndryshojë kurs pas qëndrimit të prerë të Fondit Monetar Ndërkombëtar ndaj koncesioneve dhe Partneritetit Publik-Privat.
“Fakti është se jua kanë vënë litarin në grykë. Ka një qëndrim të ashpër të FMN-së në lidhje me PPP-të e pakërkuara, madje ka një paralajmërim për krizë fiskale të Shqipërisë. Nëse i kanë shkaktuar dëme të tilla vendit, atëherë duhet të fillojmë që në janar me urgjencë, s’ka pse të presim korrikun. Dhe pastaj do përdorni demagogji për t’u shfajësuar se gjoja po e bëni këtë për popullin.
Është normale të harxhojmë 20 milionë euro për një kilometër tenderim? Mirë ajo rruga që na qenka e domosdoshme, po kjo rruga këtu me 20 milionë euro, është normale. Për këto e kemi fjalën. Ndaj anulojeni nëse doni ta shpëtoni vendin nga një kërcënim financiar!” – tha ndër të tjera Spaho në fjalën e tij.