Rreth dy javë pas therjes më thikë të shqiptarit Albert Bako, në burgun e sigurisë së lartë në Korydallos të Greqisë gjen vdekjen një tjetër shtetas shqiptar.
Bëhet fjalë për 33-vjeçarin Bardhyl Tusha, i cili ishte burgosur aty me akuzën e armëmbajtjes pa leje.
Familjarët e tij akuzojnë autoritetet greke se e kanë helmuar, ndërsa sipas autoriteteve të burgut, i riu ka ndërruar jetë si pasojë e një mbidoze droge.
Grekja “Ekathimerini” shkruan se Tusha, besohet të jetë pjesë e së njëjtës bandë si Bako, i cili u ther më herët këtë muaj.
Tusha dhe dy shqiptarët e tjerë, njëri prej të cilëve u vra më herët në burgun e Korydallos-it. Ata akuzohen si pjesë e bandës së akuzuar për vrasjen e avokatit grek, Michalis Zafeiropoulos në vitin 2017.
Dy shqiptarët që morën pjesë në vrasjen e avokatit, ishin paguar për ta plagosur dhe kërcënuar avokatin por e vranë atë aksidentalisht.
Sipas burimeve, 33-vjeçari u kishte siguruar një strehë të sigurt në rrethinat e Athinës, për dy të dënuarit e tjerë shqiptarë para vrasjes së Zafeiropoulos, në zyrën e tij në qendër të Athinës në nëntor të vitit 2017.
Pas një kërkimi në apartamentin në lagjen “Kallithea” pas arrestimit të dy vrasësve të dyshuar, policia gjeti revolvere, automatikë “Kallashnikov”, municione, eksplozivë dhe dy uniforma policie.
33-vjeçari gjithashtu thuhet se ishte i lidhur me incidente të tjera të dhunshme që ishin duke u hetuar nga policia.
Ndërkohë, një i burgosur i tretë shqiptar, që akuzohet si kryetar i bandës dhe thuhet se ishte objektivi i përpjekjes për helmim, kishte kërkuar 33-vjeçarin që të dëshmonte si dëshmitar në çështjen për të cilën po gjykohet.
Autoritetet greke kanë njoftuar se kanë nisur hetimet për vdekjen e 33-vjeçarit, për të cilën do bëjnë një raport të hollësishëm. /Hashtag.al
VINI RE: Ky material është pronësi intelektuale e Ekathimerini