Autoritetet policore kanë arritur të lokalizojnë në fshatin Mamaj, autorin e dyshuar të grabitjes së bankës së nivelit të dytë në Tepelenë, ngjarje kjo e ndodhur një ditë më parë.
Policia është vënë në ndjekje të tij, duke përdorur të gjitha format e metodat operacionale dhe hetimore për të bërë të mundur kapjen. Nuk mungon edhe operacioni nga ajëri, ku një helikopter është në lëvizje.
Mësohet se policia është në kërkim të 25-vjeçarit Kristo Ruçi, i cili ka qenë i maskuar, armatosur dhe i veshur me rroba ushtarake dhe dyshohet se ka grabitur 500 mijë lekë. Duhet të themi se Ruçi ka qenë edhe në kërkim për transport të lëndëve narkotike.
Si ndodhi grabitja?
Autori mbante armë në dorë dhe nën kërcënimin e saj grabiti paratë e xhiros ditore që ndodheshin në arkë. Punonjësit e bankës kanë mbetur të tronditur dhe nuk kanë dhënë asnjë sinjal alarmi për të lajmëruar policinë në kohë. Jashtë bankës të riun e priste një makinë.