Kreu i Partisë Demokratike, Basha, në një takim me të rinjtë e Shkodrës ka deklaruar se opozita do ndërmarë hapa konkretë për anulimin e Ligjit për Arsimin e Lartë.
Ai tha se akti i parë për këtë u mor dje në mbledhjen e grupit parlamentar të PD-së, ndërsa tha se PD-ja e kishte kundërshtuar edhe më herët këtë ligj.
“Dje kemi marrë një vendim me Grupin Parlamentar të Partisë Demokratike. Kur Ligji kaloi ne e kundërshtuam në Parlament. Ne e konsiderojmë këtë ligj, rrënjën e së keqes, që ka zaptuar universitetet, rrënjën e të keqes nga e cila po vuajnë studentët shqiptarë. Me këtë ligj korruptiv nuk bëhet gjë tjetër veçse thellohet politika e vetme e Edi Ramës, merri shumicës, jepi pakicës.” – tha Basha.
Më tej kryedemokrati shtoi se partia që drejton do niste punën për hartimin e një ligji të ri për arsimin e lartë, sipas parimeve evropiane.
“Tarifa për bachelor dhe master në Shqipëri, është më e larta në Europë, kurse cilësia është me dobëta në Europë dhe nga më të dobëtat në botë. Jeta universitare kontrollohet nga një grusht njerëzish për interesa politike dhe korruptive financiare. Anulimi i Ligjit për Arsimin e Lartë do të jetë akti i parë që qeveria e Partisë Demokratike do ndërmarrë. Ne duhet të nisim tani punën për hartimin e një ligji të arsimit të lartë, të standardeve dhe parimeve europiane.” – tha Basha.