Komisioni i Pavarur i Kualifikimit, e ka shtyrë vendimin për Shefen e Prokurorisë së Krimeve të Rënda, Donika Prela në datën 5 shkurt. Kështu pas akuzave nga Partia Demokratike, Prela do të presë disa ditë më shumë për të mësuar nëse do e kalojë apo jo Vettingun.
PD ka denoncuar standartin dyfish që po përdoret nga Komisioni i Pavarur i Kualifikimit për vettingun ndaj prokurorëve dhe gjyqtarëve.
Sekretari për Çështjet Ligjore në PD, Gjata, tha në një deklaratë për mediat, se përgjigja e shefes së Krimeve të Rënda ndaj pyetjes së ONM-së gjatë seancës së vettingut ishte tregues i kësaj dhe se ajo nuk duhet ta kalonte vettingun qoftë edhe për këtë përgjigje.
Shefja e Krimeve të Rënda, i është nënshtruar një javë më parë seancës së vettingut në KPK, kur bëri dhe deklaratën për të cilën flet Gjata. Në seancën e drejtuar nga Roland Ilia, Olsi Komici dhe Valbona Sanxhaktari ka qenë i pranishëm edhe Teo Jacobs, në statusin e vëzhguesit të ONM-së (Operacioni Ndërkombëtar i Monitorimit), i cili e ka pyetur Prelën lidhur me pagën me para në dorë të bashkëshortit të saj si dhe për faktin pse ai nuk kishte paguar taksa.
“Jam i sigurt që ju keni provuar që të pini ilaçe në mëngjes dhe ato ilcace të lënë një shije të keqe dhe s’mund ta pish mire kafen. Dhe pas drekës shija përmirësohet. Kam lexuar dosjen tuaj dhe akoma nuk kemi arritur në kohën e drekës për të shmangur dyshimet për të larguar shijen e keqe në gojën time. Pse bashkëshorti juaj e ka marrë rrogën në të holla edhe pse ai ka pasur llogari bankare? Kjo mund të duket pyetje pa vend, por ju e dini në diskutimet tona dhe se nuk janë paguar taksat me koincidence ose jo?
Më ndihmo të kuptoj se kjo nuk është rastësi pse bashkëshorti juaj është gënjyer nga kompania e ndërtimit. Ato e kanë ndërtuar në këtë mënyrë për të shmangur pagesën e taksave. Pyetja është bashkëshorti juaj është viktimë apo bashkëpunëtor në këtë skemë?”, pyeti Jacobs.
Kurse Prela është përgjigjur duke thënë se në Shqipëri, gjërat nuk funksionojnë si në vendet e BE-së.
“Unë e bashkëshorti im kemi jetuar në Shqipëri, jo në vendet e BE-së. Firma e ndërtimit s’ka respektuar detyrimet kontraktore. Tatimet e bashkëshortit duhet t’i paguante punëdhënsi. Në këtë rast të dëmtuarit jemi unë e bashkëshorti im. Jemi në gjyq më kompaninë për mospagim sigurimesh.”, tha Prela.
Sipas KPK-së, Prela ka mosdeklarim të huamarrjes me 1 milion lekë në tetor të 2010-ës. Ndërkohë ka dyshime për huamarrje 25 mijë euro në vitin 2010, të cilën e ka kthyer në 2014.
Ka dyshime për çmimin e blerjes së një toke nga Donika Prela, të ardhurat e së cilës i ka paguar nga paga si prokurore.