Pasi ka vënë në lojë televizionet më të mëdha kombëtare në vend, “Klan” dhe “Top Channel” dhe pasi u zbulua rastësisht në “Instagram”, piktori i rremë Edlir Reka i ka pranuar të gjitha.
Piktura me të cilën u mburr se kishte fituar një konkur në Moskë, në të vërtetë nuk ishte e tija, por e një artisti kanadez.
Por pasi pranoi mashtrimin që kishte bërë, 20-vjeçari nga Berati ka edhe një apel për mediat. Ai u kërkon të tregohen të kujdesshëm me të, duke nënkuptuar se është i ndjeshëm dhe preket.
“Dua të them diçka, që nuk dua ta lë pa përmendur dhe të lutem më lër që ta them. Do ndeshem te pjesa e portaleve, tek titujt e portaleve. Okej, dakord. Deri diku jam dakord me ju për gjërat që keni shkruajtur por ama duhet menduar diçka. Kujdes me fjalët që shpreheni, kujdes kur vendosni një titull. Sepse duhet të mendoni se sa rëndë ndikon kjo tek një person. Sepse unë jam këtu për të kërkuar ndjesë. Do filloj përsëri nga e para.”, është shprehur Edlir Reka.
Në një moment tjetër gjatë emisionit, ai tha se kishte bërë privat “Instagramin” e tij pas komenteve negative që merrte me arsyetimin se “Kur dëgjon aq shumë fjalë dhe të tjera me radhë, vritesh”.
Radhën e fundit që Edlir Reka kishte qenë në emisionin e Rudinës, javën e kaluar, pretendoi se kishte fituar çmimin e parë në Rusi me një prej pikturave të tij. Më herët, në dhjetor të 2018-ës të njëjtën deklaratë kishte bërë edhe në emisionin “7 pa 5” në “Top Channel”. Mirëpo përdoruesit e rrjeteve sociale, zbuluan të vërtetën. Piktura për të cilën Rreka mburrej se e kishte bërë vetë dhe madje kishte fituar edhe çmimin në Rusi, ishte e një piktori kanadez që quhet Blu Smith.