Prokuroria e Tiranës ka nisur hetimet ndaj anëtarit të Këshillit të Lartë të Prokurorisë, Bujar Sheshi. Ai po hetohet për “shpërdorim detyre”dhe “falsifikim dokumentesh”.
“Veprimet hetimore synojnë të nxjerrin në pah ekzistencën e faktit në raport me vendimin e marrë nga Autoriteti, (AIDSH), ligjshmërinë e këtij vendimi, veprimet e kryera prej këtij institucioni, ligjshmërinë e ndjekur nga Prokuroria e Përgjithshme në veprimet e saj, për kandidatin Bujar Sheshi, deri në përzgjedhjen e tij si anëtar i KLP-së, si dhe vërtetësinë e deklarimeve të prokurorit Bujar Sheshi në formularin përkatës.” – thonë burime nga Prokuroria.
Bujar Sheshi u akuzua nga Partia Demokratike se kishte qenë bashkëpunëtor i ish-Sigurimit të Shtetit dhe se kishte mashtruar për të qenë pjesë e institucioneve të reformës në drejtësi.
Opozita akuzoi edhe Kryeprokuroren Arta Marku, lidhur me këtë çështje por kjo e fundit i hodhi poshtë akuzat me atë të njhë reagimi zyrtar ditën e djeshme.
Ditën e sotme, Sheshi, paditi në prokurori autoritetin e dosjeve duke e akuzuar se ka falsifikuar dokumentet që janë publikuar në media lidhur me çështjen e tij.