Gjashtë fëmijë janë vrarë në Tanzaninë jugperëndimore dhe iu janë hequr veshët dhe dhëmbët. Lajmi i bërë publik nga autoritetet ka tronditur vendin.
“BBC” shkruan se fëmijët ishin të moshës midis dy dhe nëntë vjeç. Sipas policisë, atyre u mungonin edhe gjymtyrët.
“Kjo ngjarje ka të bëjë me besimet supersticioze. Shumë njerëz besojnë se do të marrin ndihmë nga magjia”, tha komisioneri i qarkut Njombe, Ruth Msafiri.
Policia ka arrestuar një të dyshuar, një të afërm të tre fëmijëve që ishin nga e njëjta familje.
Dhjetë fëmijë në të gjithë qarkun e Njombe, kanë humbur që nga fillimi i dhjetorit dhe vetëm katër prej tyre janë gjetur të gjallë.
Korrespondentët raportojnë se disa “magjistarë” në rajon u tregojnë njerëzve se pjesët e trupit të njeriut, kanë disa veti të veçanta që mund t’u sjellin atyre pasuri dhe fat.
“Ne i nxisim të gjithë prindërit të jenë të vëmendshëm dhe t’u mësojnë fëmijëve të tyre se si të kuptojnë motivet e personave që iu afrohen”, tha komisioneri i rrethit për BBC.
Gjashtë fëmijët u morën nga shtëpitë e tyre gjatë natës, kur prindërit po shitnin ushqim në një treg.