Sot në Komisionin e Medias dhe Edukimit, ministrja e Arsimit, Rinisë dhe Sporteve, Besa Shahini, premtoi katër ndryshime në Ligjin për Arsimin e Lartë.
Dy ndryshimet e para sipas ministres kanë të bëjnë me rritjen e përfaqësimit të studentëve në senat dhe në bordet e menaxhimit.
Po ashtu ministrja premtoi transparencë për fondet dhe shpenzimet në universitete, ndërsa paralajmëroi edhe shkarkimin e drejtorëve të bordeve dhe zgjedhjen e personave të rinj në krye.
“Ka të bëjmë me një nismë ligjore për ndryshimin e katër neneve të ndryshimit të Ligjit të Arsimit të Lartë. Rritja e përfaqësisisë së studentëve nga 10-50 për qind, por edhe në organet e tjera të zgjedhjeve të dekanëve, por edhe në borde të tjera të menaxhimit. Vendimet në senat duhet nga persona me një ekspertizë shumë e lartë.
Ne për hir të transparencës dhe llogaridhënies kemi marrë një vendim që do të shkarkojmë të gjithë drejtuesit e bordeve, ndërsa kemi bërë thirrjen publike për përfaqësues të rinj.
Kemi themeluar portalin e transparencës. Aty do të botohen të gjitha vendimet dhe të gjitha buxhetet. Ky informacion do të azhurnohet çdo tre apo katër muaj dhe kjo do shtojë transparencën”, tha ministrja Shahini.
Ministrja debatoi ashpër me kryetaren e këtij komisioni, Albana Vokshin, pasi nënkuptoi se nuk ishin plotësuar të gjitha kërkesat e studentëve nga qeveria, kur tha “ Duke marrë parasysh gjithë çfarë kemi parë nga shtetet e tjera ne nuk i shohim të domosdoshme që këto ndryshime të adresohen përmes ndryshimeve ligjore. Duke marrë parasysh që ne edhe me VKM në dhjetor dy nga çështjet kryesore të ngritur nga studentët për transparencë dhe llogaridhënie dhe për përfaqësime nëpër borde i kemi adresuar.”
Sipas Vokshit, me këtë ministrja e pranoi me gojën e saj se nuk janë plotësuar të gjitha kërkesat e studentëve.