Dy persona u vranë ndërsa 4 të tjerë u plagosën pasi një granatë u hodh në një xhami në Zamboanga, në ishullin Mindanao në Filipine. Sulmi vjen vetëm disa ditë pas një sulmi terrorist në një kishë në një ishull aty pranë, ku u vranë 21 persona.
Sulmi i fundit ndodhi pak pas mesnate të mërkurën, thanë zyrtarët e sigurisë në rajon.
Të vrarët u identifikuan si Habil Rex, 46 vjeç dhe Bato Sattal, 47 vjeç, që thoshin të ishin predikues në xhaminë ku ndodhi sulmi, kurse autori i dyshuar nuk është kapur apo identifikuar.
Këshilli i Gadishullit Zamboanga e quajti sulmin “djallëzor, irracional dhe çnjerëzor”.
Zyrtari ushtarak, Leonel Nicolas, këmbënguli se sulmi nuk ishte “një akt hakmarrës” dhe ushtria i bëri thirrje të gjitha komuniteteve fetare në Mindanao të përmbahen nga spekulimet në mediat sociale dhe të mos nxisin urrejtje fetare në vend, pasi kjo mund të përshkallëzohet dhe të përfshijë gjithë rajonin.