Pas lajmit të revistës “Monitor” për parkimet, ka reaguar edhe Bashkia e Tiranës e cila është shprehur se PD përhap të pavërteta. Në njoftimin e saj Bashkia thekson se ky insititucion nuk ka për qëllim të japë me koncesion shërbimin e parkimit në kryeqytet, që sipas tyre dezinformoi qëllimisht sot Partia Demokratike.
“Bashkia e Tiranës vëren me keqardhje se Partia Demokratike përhapi sot qëllimisht një lajm abuziv dhe të pavërtetë lidhur me mënyrën e administrimit të parkimit në qytet nga Tirana Parking.
Në respekt të informimit të drejtë dhe transparent të qytetarëve të saj, Bashkia e Tiranës dëshiron të theksojë se Vendimi i Këshillit Bashkiak “Për një shtesë në vendimin Nr 49, datë 11.11.2015 “Për miratimin e kritereve të përcaktimit të zonave të administrimit të parkimit dhe nënzonave të destinuara për parkim, si dhe tarifave të shërbimit të parkimit të administruar nga Bashkia e Tiranës, të ndryshuar”, i cili pritet të diskutohet në mbledhjen e nesërme të Këshillit Bashkiak të Tiranës, nuk ka për qëllim të privatizojë apo të japë me koncesion shërbimin e parkimit në kryeqytet, siç dezinformoi qëllimisht sot Partia Demokratike.”, shprehet Bashkia Tiranë.
Ky institucion thekson më tej se edhe pagesa që do të kryehet përmes shërbimit me automatë do të kalojë 100% për llogari të bashkisë.
Bashkia Tiranë pritet të miratojë vendimin që do të kalojë edhe te privati administrimin e parkingjeve. Pra vendimi do t’i hapë rrugë administrimit të parkingjeve edhe nga subjektet private, pritet të jepet me koncesion. Duhet të themi se qytetarët paguajnë rreth 4 mln euro në vit për parking, një shifër jo e vogël kjo.