Vendosni fjalën kyçe....

Shqipëria me pagën minimale më të ulët në Europë


Punonjësit shqiptarë deri në fund të vitit 2018 paguheshin minimalisht me 210 euro në muaj, që është më e ulëta në Europë, sipas hartës së pagës minimale, që është publikuar sot nga Eurostat.

Paga bruto minimale nga 1 janari në vend është rritur nga 24 mijë në 26 mijë lekë.

Ndonëse në rritje vit pas viti, paga minimale e punonjësve shqiptarë mbetet sërish më e ulëta. Në Serbi ajo është 308 euro. Mungojnë të dhënat për Maqedoninë dhe Malin e Zi. Për Maqedoninë, por sipas të dhënave nga Ministria e Punës dhe Politikave Sociale të Maqedonisë, paga më e ulët bruto është 17,370.00 MKD (rreth 282,00 EUR). Edhe për malin e Zi, sipas burimeve zyrtare, paga minimale është rreth 288 euro, duke e bërë Shqipërinë vendin me paga më të ulëta për shtresat vulnerabil.

Industria tekstile dhe e këpucëve në Shqipëri (që punon me fason kryesisht për tregun italian) dhe disa sektorë të tjerë të industrisë përpunuese paguajnë përgjithësisht me pagë minimale dhe së fundi kanë filluar të ndjejnë mungesën e fuqisë punëtore për shkak të emigracionit të punonjësve të tyre, në kërkim të të ardhurave më të larta. Por, teksa, paga e ulët mbetet avantazhi konkurrues kryesor i Shqipërisë, këta sektorë e kanë thuajse të pamundur të rrisnin ndjeshëm pagat, pasi do të humbnin partnerët e huaj. Orientimi në sektorë me vlerë të shtuar rekomandohet nga ekspertët si zgjidhja për këtë ngërç.

Paga minimale në BE

Sipas njoftimit të Eurostat, që nga 1 janari 2019, 22 nga 28 vendet anëtare të Bashkimit Evropian (BE) kanë paga minimale kombëtare, vetëm Danimarka, Italia, Qiproja, Austria, Finlanda dhe Suedia nuk kanë një pagë minimale. 22 Shtetet Anëtare të BE-së që kanë paga minimale kombëtare mund të ndahen në tri grupe kryesore bazuar në nivelin në euro.

Paga minimale mujore zakonisht nën 600 euro në lindje dhe mbi 1 400 euro në veriperëndim të BE.

Në janar 2019, Bullgaria kishte pagën minimale më të ulët, përkatësisht 286 euro, nga të gjithë shtetet e BE-së. Nëntë shtete anëtare, të gjitha të vendosura në lindje të BE-së, ndiqnin Bullgarinë, me paga minimale midis 400 dhe 600 euro në muaj, përkatësisht: Letonia (430 euro), Rumania (446 euro), Hungaria (464 euro), Kroacia (506 euro ), Çekia (519 euro), Sllovakia (520 euro), Polonia (523 euro), Estonia (540 euro) dhe Lituania (555 euro).

Në pesë shtete të tjera anëtare, të vendosura në jug të BE-së, pagat minimale shkonin në mes 650 dhe pak më shumë se 1 000 euro në muaj: Greqia (684 euro), Portugalia (700 euro), Malta (762 euro), Sllovenia (887 euro) dhe Spanja ( 1,050 euro).

Në shtatë vendet e tjera anëtare, të gjitha të vendosura në perëndim dhe në veri të BE, pagat minimale ishin mbi 1 450 euro në muaj: Britania e Madhe (1 453 euro), Franca (1 521 euro), Gjermania (1 557 euro) , Belgjikë (1 594 euro), Hollanda 1 616 euro), Irlanda (1 656 euro) dhe Luksemburgu (2 071 euro).

Për krahasim, paga minimale federale në Shtetet e Bashkuara ishte 1 098 euro në muaj në janar 2019.

Hendeku më i vogël në pagat minimale, pasi  eliminohen ndryshimet në nivelet e çmimeve

Në 22 shtetet anëtare, paga minimale më e lartë në BE ishte 7 herë më e lartë se ajo më e ulëta.

Megjithatë, pabarazitë në paga minimale në shtetet anëtare të BE-së janë dukshëm më të vogla, kur eliminohen ndryshimet në nivelin e çmimeve. Pagat minimale në shtetet anëtare me nivele më të ulëta të çmimeve bëhen relativisht më të larta kur shprehen sipas standardit të fuqisë blerëse (PPS) dhe relativisht më të ulëta në shtetet anëtare me nivele më të larta të çmimeve. Duke eliminuar dallimet e çmimeve, pagat minimale shkonin nga 557 PPS (purchasing poëer standard) në muaj në Bullgari, deri në 1 646 PPS në Luksemburg, që do të thotë se paga minimale më e lartë ishte pothuajse 3 herë më e lartë se ajo më e ulëta.

Vini re: Ky shkrim është pronësi intelektuale e Monitor


Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *