Mesditën e djeshme u vra me armë zjarri në Selitë të Tiranës, Arben Bilali, ish-efektiv policie. Dyshohet se Bilali është djali i tretë i familjes që është vrarë për shkak të një përplasjeje me një grup të njohur në Tiranë, gjatë viteve ’97-’98.
Në 1998 është ekzekutuar me armë zjarri vëllai i ish-policit, Bujar Bilali. Ai dyshohet të jetë vrarë gabimisht, pasi sipas policisë shënjestër ishte një tjetër person, pjesë e grupit të Selitës.
Vëllai tjetër i ish-policit, Leonardi, ish-mundës i Dinamos, u ekzekutua më 10 gusht të vitit 2010, kur ishte 27 vjeç.
Ai kishte vetëm një muaj që ishte kthyer nga Italia, ku kishte qëndruar si emigrant. Gjatë kësaj kohe, afërsisht një muaj, ai ka qëndruar në vilën e familjes së tij në zonën e Selitës, ndërkohë që sipas fqinjëve shihej darkave nëpër lokalet që ndodhen në zonën e quajtur ish-stacioni i fundit i “Tiranës së Re”.
Sapo është gjendur në trotuarin para një marketi, për të dalë në shesh, ai është përballur me ekzekutorin, i cili e ka qëlluar fillimisht në bark dhe më pas në trup e kokë, me katër plumba pistolete “Makarov”.
Arben Bilali gjithashtu i pati shpëtuar një atentati dy muaj para se të vritej vëllai i tij, Leonardi. Në atë kohë, ai ishte bodigard në një biznes privat, pasi kishte hequr dorë nga Forcat Speciale, duke u larguar nga Policia.
Ai ishte përfolur për një vrasje të ndodhur vite më parë, edhe pse zyrtarisht nuk ishte përmendur asnjëherë për këtë krim. Policia pati dyshime se pas dështimit të atentatit ndaj tij, në lidhje me këtë ngjarje të vjetër mund të jetë ekzekutuar vëllai i tij, dy muaj më vonë.
Sipas gazetës “Panorama”, shtëpia e Arben Bilalit, pranë së cilës ai u ekzekutua dje, është një ndërtesë trekatëshe e pozicionuar pranë rrugës, me kamera sigurie në katin e parë të saj. Kjo konfirmon edhe faktin se Arben Bilali ruhej nga një atentat i dytë, duke u fshehur në banesën e tij e duke survejuar çdo lëvizje pranë saj.
Kështu policia po heton disa pista, por me kryesorja duket të jetë ajo e hakmarrjes.