Një video që është bërë virale në rrjetet sociale tregon sesa e rrezikshme është t’i prishësh gjumin bashkëshortes. Kjo i ka ndodhur një luani në një park kombëtar të Kenias.
Në video duket luani, që i afrohet një luaneshe me kujdes nga pas, teksa ajo ndodhej në gjumin e drekës.
Pamjet janë filmuar nga një prej kujdestarëve të parkut, i cili me përvojën e tij 10-vjeçare e dinte se diçka e rrallë do ndodhte dhe i porositi turistët që të bënin gati kamerat për të filmuar.
Pasi luani i afrohet pa dikuar femrës, kjo e fundit reagon dhunshëm duke iu vërsulur luanit.
Edhe pse gjasat që ajo ta dëmtonte kreun e tufës ishin të pakta, luani mashkull bën prapa për disa sekonda për të shmangur një përballje më të dhunshme. Përdoruesit e rrjetit u habitën me faktin sesi luaneshës iu deshën vetëm 2 sekonda për të kaluar nga gjumi në sulm.