Deputeti i Lëvizjes Socialiste për Integrim, Nasip Naço, ka denoncuar situatën në bashkinë e Skraparit, ku sipas tij dega e Thesarit ka bllokuar veprimtaritë financiare për furnizimin me ujë të konvikteve, furnizimin me ujë të çerdheve, furnizimin me ushqim të qendrës së fëmijëve me aftësi të kufizuar, pagat e punonjësve, si dhe ka bllokuar çdo shërbim ndaj komunitetit.
“Dalja ime në këtë konferencë për shtyp ka të bëjë me shkeljet dhe presionet ndaj përfaqësuesve të Bashkisë Skrapar. Jo më shumë se disa muaj më parë, përfaqësues të Partisë Socialiste të dirigjuar nga deputeti i tyre bllokuan ndihmën ekonomike për rreth 600 familje duke bërë presion në shkëmbim të votës.
Sot përsëri të dirigjuar prej tyre, dega e Thesarit Skrapar, në kundërshtim më çdo akt ligjor dhe nënligjor ka bllokuar veprimtaritë financiare: 1-furnizimin me ujë të konvikteve, 2-furnizimin me ujë të çerdheve, 3-furnizimin me ushqim të qendrës së fëmijëve me aftësi të kufizuar, 4-pagat e punonjësve, si dhe ka bllokuar çdo shërbim ndaj komunitetit.
Zonja Ministre e Financave! Ju drejtohem publikisht të urdhëroni menjëherë degën e thesarit Skrapar për të zhbllokuar këtë gjendje kriminale, shkarkimin e menjëhershëm të drejtuesve të këtij institucioni dhe të kërkoni ndjekjen penale të tyre. “, shprehet Naço.
Deputeti i LSI-së ka kërkuar edhe shkarkimin e prefektit të Qarkut të Beratit si edhe ndjekjen penale të tij.
“Zoti Kryeministër, po ju drejtohem publikisht që të ndërhyni menjëherë dhe të zhbllokohet kjo situatë kriminale, të shkarkoni menjëherë Prefektin e Qarkut të Beratit dhe të kërkoni ndjekjen penale të tij. Zoti Kryeministër, nëse ju nuk ndërhyni në zhbllokimin e kësaj situate që të lejoni Bashkinë Skrapar që të ushtrojë veprimtarinë e saj me 1/12 e buxhetit, siç e parashikon Ligji dhe Udhëzimi përkatës, atëherë jeni ju urdhëruesit dhe zbatuesit e këtij veprimi kriminal. Përgjegjësia morale, ligjore dhe politike do bjerë vetëm mbi ju.”, tha deputeti Naço.