Vendosni fjalën kyçe....

Përfundon takimi me ministren, Mark Marku: S’ramë dakord për asgjë, presim deri në darkë


 

Ka përfunduar mbledhja e pedagogëve të Universitetit të Tiranës me ministren e Arsimit, Besa Shahini. Në një dalje për mediat, shefi i Departamentit të Gazetarisë Mark Marku, tha se nuk kanë rënë dakord për asgjë me ministren dhe se do presin ende një përgjigje nga ajo. Në darkë do të bëhet mbledhja e Asamblesë së Universitetit të Tiranës, ku sipas Markut mund të merret vendimi për grevë të pedagogëve.

“Ne diskutuam për gjendjen në Universitet dhe i qëndruam pak a shumë kërkesave që kemi parashtruar. Nuk pati një qëndrim konkret nga ana e ministres, nuk u shpreh gjatë takimit për asnjë nga kërkesat. Tentoi ta çojë takimin në një diskutim jorezultativ nga ana e kërkesave. Presim deri në darkë dhe pastaj do bëjmë mbledhjen e asamblesë. Vendimi për grevë do merret nga pedagogët. Do presim deri në darkë…

U diskutua shumë, por nuk ramë dakord për asgjë sepse ministrja nuk mori asnjë angazhim në raport me kërkesat dhe shqetësimet e pedagogëve për studentët.

Takimi ishte konstruktiv deri në momentin e fundit, qamë hallet, nuk pranuam të negocionim për kërkesat, në fund ministrja u përpoq të na bindte se sa i mirë ishte pakti, në një mënyrë ishte fyese se kemi kapacitetin intelektuar për ta kuptuar.”, u shpreh Marku.

Pedagogët e Universitetit të Tiranës shkuan në një mbledhje me ministren e re të Arsimit, Besa Shahini, pasi sot skadon afati që i kanë dhënë ministres për t’iu përgjigjur kërkesave të tyre, për Ligjin për Arsimin e Lartë.

Më 25 janar, Pedagogët e Universitetit të Tiranës si dhe Senatet Akademike i dhanë qeverisë një javë kohë për të anuluar “Ligjin për Arsimin e Lartë”.

Mbledhja ku u mor vendimi u zhvillua në Qytetin Studenti, ku ndër të tjera Asambleja e Universitetit të Tiranës kërkoi edhe rishikimin e VKM-ve të qeverisë, shprehu mbështetjen për protestën e studentëve si dhe kërkoi miratimin e statusit të pedagogut.

Ata kanë kërcënuar se nëse kërkesat e tyre nuk plotësohen, do ta përshkallëzojnë protestën në grevë urie.


Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *