Vendosni fjalën kyçe....

Prej 22 vitesh në karrige me rrota, i riu kërkon 65 mijë dollarë që të ngrihet në këmbë


Me rubrikën “Shqipëria pa filtra”, emisioni investigativ  “BOOM” udhëtoi drejt Beratit për të sjellë historinë e trishtë të Kreshnik Farisë nga Berati.

Viti i errët 1997 për shqiptarët duket i largët, por jo tek ai. Edhe pse sot 37-vjeç, Kreshniku vuan pasojat e goditjes nga një plumb qorr kur ishte vetëm 14 vjeç.

Ai ishte duke luajtur me shokët e tij në lagjen ku jetonte kur  mori goditjen fatale dhe prej 22 vitesh jeton në një karrocë me rrota. Kjo edhe për arsye të mosveprimit të menjëhershëm të mjekëve.

Shpresën për tu ngritur edhe njëherë në këmbë nuk e ka humbur.Por për këtë ai kërkon ndihmën e shqiptarëve.

Kreshnik Farija: Në 1997 unë jam plagosur me një plumb qorr. Isha 14 vjeç. Po lozja me shokët dhe më vjen një plumb qorr dhe më godet në shpatullën e djathtë. Nuk e kuptuam që ishte plumb, nuk më kishte dalë gjak nga plaga. Ndërkohë kur shtrihem më fryhet barku, një shok më ndihmon ma shfryn. Pastaj më doli gjak nga plaga. Aty e marrim vesh se isha plagosur. Më ngrenë dhe më çojnë në spital, duke më ngritur më mpihen këmbët.

Nga spitali i Beratit më kanë nisur në Spitalin Ushtarak. Ma kanë hequr plumbin pas tre muajsh. Unë i thosha doktorit që më operoni por ata thoshin se nuk e marrim përsipër këtë operacion se kemi frikë. Nuk mund të lëvizja sepse plumbi lëvizte nga mushkëria dhe këtu. Unë hidhesha në karrocë. Doktori thoshte mos e bëj se do të shkojë plumbi te zemra dhe do vdesësh. Pas tre muajsh kemi njohur një doktor në Senatorium i cili më mori përsipër dhe më ka operuar.

Gazetarja: Është ndonjë mjek që e merr përsipër që ti mund të riecësh përsëri?

Kreshnik Farija: Unë jam lidhur me një doktor në Turqi, është një kurë që quhet qeliza staminale.Kur bëra vizitën më tha që të garantoj se kjo kurë të ngre në këmbë. Shifra është 65 mijë dollarë.Nuk e përballoj. Kush ta shikojë këtë intervistë të investojë sadopak edhe sikur 10 mijë lekë të vjetra.

Vuajtje e madhe është edhe për nënën e Kreshnikut.

Vera Farija: Djali del për të luajtur me shokët. I ati i thotë që nuk do të dilni se plumbat janë si kokrra misri përjashtë.Por fëmijë.E thërritën shokët dhe Kreshniku doli. Vjen më lajmëron një shoku i tij i alarmuar. Kreshniku është plagosur tha, nuk e besova. Kur dola te shkalla pashë Kreshnikun e shtrirë.E morën dy veta për ta hedhur në ambulancë. Kreshniku më thërret që nuk po ndjej këmbët. 

Në Spitalin Ushtarak ja hoqën edhe shpresën e jetës, Zoti deshi që i dha jetën. Kaluan 6 vjet dhe i ati e la sepse i sëmurë, nuk e duroi dot dhe dhimbjen e djalit.

Gjithë barra ra mbi nënën e Kreshnikut.”Më mirë të kisha vdekur sesa të jetoj” më thotë. Këto më kanë dhënë një dhimbje shpirtërore. Nuk kemi shpresa as tek mjekët këtu. I bëj thirrje gjithë popullit shqiptar sikur një diçka të vogël të dhurojnë që Kreshniku t’ia arrijë asaj dëshire për të ecur një ditë në këmbë që ka pritur prej vitesh.

VINI RE:Ky material është pronësi intelektuale e emisionit Boom Ora News.


Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *