Pedagogët e Universitetit të Tiranës kanë shkuar në një mbledhje me ministren e re të Arsimit, Besa Shahini, pasi sot skadon afati që i kanë dhënë ministres për t’iu përgjigjur kërkesave të tyre, për Ligjin për Arsimin e Lartë.
Më 25 janar, Pedagogët e Universitetit të Tiranës si dhe Senatet Akademike i dhanë qeverisë një javë kohë për të anuluar “Ligjin për Arsimin e Lartë”.
Mbledhja ku u mor vendimi u zhvillua në Qytetin Studenti, ku ndër të tjera Asambleja e Universitetit të Tiranës kërkoi edhe rishikimin e VKM-ve të qeverisë, shprehu mbështetjen për protestën e studentëve si dhe kërkoi miratimin e statusit të pedagogut.
Ata kanë kërcënuar se nëse kërkesat e tyre nuk plotësohen, do ta përshkallëzojnë protestën në grevë urie.
Kërkesa e pedagogëve
Takimi i asambleve dhe i stafeve akademike të fakulteteve të Universitetit të Tiranës (Fakulteti i Historisë dhe i Filologjisë, Fakulteti i Shkencave të Natyrës, Fakulteti i Shkencave Sociale, Fakulteti i Drejtësisë, Fakulteti i Ekonomisë dhe Fakulteti i Gjuhëve të Huaja)
Deklaratë Drejtuar Kryeministrit të Republikës së Shqipërisë, z. Edi Rama, dhe ministres së Arsimit, të Sportit dhe të Rinisë, znj. Besa Shahini
Duke njohur dhe duke vlerësuar rëndësinë dhe seriozitetin e situatës aktuale në Arsimin e Lartë, dhe më specifikisht në Universitetin e Tiranës, me përgjegjësinë më të lartë për të ofruar mësimdhënie dhe kërkim shkencor të nivelit më të mirë për studentët tanë, me detyrën për të ruajtuar dhe për të forcuar rolin e universitetit publik në Shqipëri, nxjerrim këtë deklaratë:
Rinkonfirmojmë mbështetjen e studentëve për kërkesat e tyre.
Shprehemi kundër Ligjit “Për arsimin e Lartë” 80/2015, si dhe kërkojmë shprehjen e vullnetit të qeverisë për fillimin e procesit legjislativ për hartimin e një ligji të ri për Arsimin e Lartë, në bashkëpunim me studentë, pedagogë dhe aktorë të tjerë të rëndësishëm, në një proces konsultimi të hapur dhe gjithëpërfshirës.
Kërkojmë shfuqizimin e menjëhershëm të VKM-ve të datës 26 dhjetor 2018: Nr.777, Nr.781, Nr. 783, si dhe urdhrat po të datës 26 dhjetor: Nr.183: Nr.184: Nr.185, të cilat bien në kundërshtim me autonominë universitare dhe lirinë akademike.
Kërkojmë rritjen e buxhetit për arsimin e lartë publik
Ndalimin e menjëhershëm të fushatës denigruese ndaj pedagogëve dhe miratimin e statusit të pedagogut.
Presim përgjigje dhe masa konkrete brenda datës 1 shkurt 2019 për pikat e mësipërme. Nëse kjo nuk ndodh, atëherë do t’i drejtohemi të gjithë trupës akademike të universiteteve publike në nivel kombëtar, për grevë të përgjithshme.
Ftojmë të gjitha universitetet e tjera publike të shprehen dhe të koordinojnë qëndrimet për sa më sipër.
Takimi i Asambleve të Universitetit të Tiranë