Vëzhguesi i Operacionit Ndërkombëtar të Monitorimit (ONM), Theo Jacobs, gjendet aktualisht në Prokurorinë e Durrësit, me shumë mundësi për të verifikuar dosjen e lirimit të anëtarit të bandës së Shijakut, Astrit Avdyli dhe rolin e Donika Prelës në këtë skandal.
Burime nga prokuroria e qytetit bregdetar deklarojnë për “Boldnews.al” se paraditen e së Premtes, Teo Jacobs dhe një shoqërues i tij kanë hyrë në godinë dhe, deri në momentin e shkrimit të këtij artikulli, ai gjendej ende në zyrat e atij institucioni.
Theo Jacobs është vëzhguesi i procesit të Vetingut të drejtueses së Prokurorisë për Krime të Rënda, Donika Prela. Para se të merrte këtë detyrë, Prela ka mbajtur për disa muaj postin e drejtueses së Prokurorisë së Durrësit.
“Boldnews.al” ka raportuar në mënyrë ekskluzive, shoqëruar me dokumenta se, në janar 2018, në kohën që Donika Prela drejtonte Prokurorinë e Durrësit, është liruar në mënyrë shumë të dyshimtë Astrit Avdyli, i arrestuar për armëmbajtje pa leje së bashku me një mikun e tij.
Sipas dokumentave dhe informacioneve të siguruara nga “Boldnews.al”, Astrit Avdyli është arrestuar së bashku me Donald Çullhaj në Janar 2018, pasi, në mjetin ku gjendeshin ata të dy, në çantën e dorës së Avdylit, së bashku me kartën e tij të identitetit është gjetur edhe një armë tip pistoletë.
Menjëherë pas arrestimit të Avdylit, familjarët e tij nisën “tentativat” për të liruar menjëherë drejtuesin e grupit të Shijakut. “Zgjidhja” ishte që miku i Avdylit, të merrte përsipër se arma ishte e tij. Këto biseda të familjarëve Avdyli janë regjistruar nga Prokuroria për Krime të Rënda, e cila ndërkohë po zhvillonte një hetim paralel, në kuadër të dosjes “339”.
Dy ditë pas arrestimit, Astrit Avdyli u lirua, pasi rezultoi ashtu siç kishin biseduar familjarët e tij në bisedat e përgjuara-Donald Çullhaj mori përsipër se arma ishte e tij, duke mundësuar në këtë mënyrë lirimin e Avdylit.
Por, nga dosja e prokurorisë, të cilët “BN” e publikoi të plotë pak ditë më parë, rezultoi se Prokuroria është “mjaftuar” vetëm me deklaratat e Donald Çullhaj dhe nuk ka kryer asnjë verifikim tjetër. Nuk rezulton që të jetë kryer as ekspertiza e gjurmëve të gishtave, për të përcaktuar saktësisht se kush e kishte përdorur ose mbajtur atë armë, Astrit Avdyli apo miku i tij, Donald Çullhaj.
Të dhënat e publikuara nga “BN” duket se kanë nxitur vëzhguesin ndërkombëtar, Teo Jacobs, për të kryer verifikimet në Prokurorinë e Durrësit.
Donika Prela e mbylli seancën dëgjimore, ndërkohë që Komisioni i Pavarur i Kualifikimit e ka shtyrë herë dhënien e vendimit. Nga të dhënat e publikuara në seancë dëgjimore, u duk qartë që trupa e KPK kishte realizuar një verifikim të cekët mbi pasurinë dhe integritetin e prokurores Donika Prela. Në atë seancë u diskutua për një apartament, me vlerë 110 mijë euro, të cilin Komisioni i Vetingut nuk e kishte përfshirë në verifikimet e tij.
Gjithashtu, siç rezultoi qartësisht, KPK nuk ka kryer asnjë verifikim edhe për dosjen e lirimit të Astrit Avdylit në janar 2018, të cilët “BN” e siguroi pas mbylljes së seancës dëgjimore.
VINI RE: Artikulli është pronësi intelektuale e “Boldnews.al”