Kryetari i Partisë Demokratike Lulzim Basha, në një takim me shoqatat e bizneseve dhe sipërmarrësve në vend, ka prezantuar shtyllat kryesore të programit Ekonomik të Partisë Demokratike.
Basha tha se janë tre shtylla: – Dekriminalizimi i institucioneve shtetërore
-Vettingu i politikanëve
-Dekriminalizimi i Ekonomisë
“Paralajmëroj institucionet financiare të mos mbështesin piramidën e re financiare 1,5 miliardë dollarëshe që po vë Rama në zbatim.
-Më së pari, sistemi ekonomik duhet çliruar nga zaptimi i trefishtë i tregut: Krimi, Oligarkia dhe Burokraci.
Partia Demokratike arriti të imponojë axhendën e dekriminalizimit të institucioneve shtetërore, ndonëse Rilindja bëri e bën çdo përpjekje për rezistencë. Qindra kriminelë u larguan nga zyrat e shtetit.
-Ne kemi shpallur fazën e dytë të dekriminalizimit, Vettingun e politikanëve të lidhur me fije të dukshme e të padukshme me krimin, produkt i të cilit është edhe beteja që po zhvillohet tani dhe që u zbulua nga VOA.
Që nga 2013-ta asgjë s’është votë e shqiptarëve por produkt i krimit. Ndaj vetingu i politikanëve është prioritet absurd.
-Së fundmi është edhe dekriminalizimin e ekonomisë.”, tha Basha.
Ndër të tjera Basha foli edhe për dosjen e famshme “339”, për të cilën tha se vërteton bashkëpunimin e politikanëve me krimin.
“Dosja 339 dhe 339/1 tregon se kryebashkiakët kryesorë, deputetë e ministra e deri te kryeministri, janë përfshirë në transaksione të drejtpërdrejta me bandat e krimit të organizuar. U thonë “Na siguroni vota e ju bëjmë favore” e pastaj kthehen në transaksione ekonomike.
Rilindja në pushtet, e detyruar të largojë kriminelët nga zyrat e shtetit, bashkëpunon me ta në prapavijën politike dhe ekonomike.
Shqipëria “Kolumbia e Europës”, kjo është damka që na ka vënë Edi Rama nëpërmjet të cilës na njohin media ndërkombëtare dhe kancelaritë perëndimore, që na largon investitorët për të cilët kemi aq shumë nevojë.
Krimi dhe paraja e tij në ekonomi nuk sjell zhvillim, por rrënim, ndaj ne po denoncojmë dhe demaskojmë që sot në opozitë e do ta spastrojmë nesër në qeveri, nga politika dhe ekonomia.”, tha Basha.