Presidenti i Serbisë, Vuçiç, ka përsëritur se heqja e taksës 100% ndaj mallrave serbe është hapi i parë drejt normalizimit të raporteve për sa i përket çeljes së dialogut mes Beogradit dhe Prishtinës.
Kreu i shtetit serb i bëri deklaratat e mësipërme gjatë takimit me ambasadorin rus në Beograd, Çepurin.
Në bisedën mes të dyve u diskutua edhe forcimi i marrëdhënieve ekonomike mes dy vendeve si dhe garantimi i furnizimit m gaz rus të Serbisë.
Kryeministri i Kosovës, Haradinaj, nga ana e tij ka deklaruar se qeveria e drejtuar prej tij nuk do e heqë taksën ndaj mallrave serbe deri në arritjen e një marrëveshjeje me Serbinë për njohjen zyrtare të Kosovës prej saj.
“Ne do të rrimë përballë Rusisë. Taksa nuk është vendosur kundër Amerikës por Rusisë. Rusia dhe Serbia kanë punuar që të na tërhiqen njohjet. Taksa do të mbesë deri në njohje. Pse duhet të ekzistojë taksa deri në njohje? Sepse nuk është lehte të hash mallin e atij që na ka vra mirëpo kur na thuhet që të japim diçka për njohje, për çfare po flitet më?”.
Përfaqësuesit e SHBA-së dhe BE-së në Kosovë i kanë bërë thirrje vazhdimisht kreut të qeverisë, Haradinaj, që të heqë taksën e vendosur javë më parë ndaj mallrave serbe dhe të rifillojë dialogun e ndërprerë me palën serbe.