Deputeti i Lëvizjes Socialiste për Integrim Përparim Spahiu, ka reaguar lidhur me deklaratën që bërë mbrëmë kryebashkiaku i Durrësit Vangjush Dako, lidhur me “Zërin e Amerikës”.
Spahiu i kujton Dakos ish-presidentin e Venezuelës Hugo Chavez, duke i thënë nuk ka asnjë ndryshim nga ai, por vetëm sa ka përsosur makinerinë e Propagandës. Spahiu i thotë Dakos se kur në vitet ’80 ai ka qenë vetëm 14-vjeç dhe nuk ka qenë në gjendje të vlerësojë “Zërin e Amerikës” si media model atëhere kurse tani të degraduar.
“Zëri i Amerikës, Zëri i Ramës dhe Zëri i Dakos!
Ish presidenti diktator i Venezuelës, kishte një emision të tijin të përditshëm, i quajtur “Alo Presidente”.
Sot të njëjtën gjë bën edhe kryeministri me ERTV. Njësoj si Chavez, mediat që nuk i binden i quan kazan, përfshirë edhe Zërin e Amerikës.
Llogjika i ka humbur edhe kryebashkiakut të Durrësit, i cili tha dje në një emision, se në vitet 80′, Zëri i Amerikës ishte media model për të, kurse tani ka degraduar.
Sesi mund të merrte vesh Dako nga lajmet në atë kohë, pasi ishte vetëm 14 vjeç, vetëm ai e di.
Po mirë, a nuk ishit ju që fërkonit barkun kur Zëri i Amerikës kritikonte opozitën. Sot, si mundet të ndërsesh prokurorinë për të hetuar Zërin e Amerikës, dhe nuk thua asnjë fjalë për blerjen e votave.
Nuk ke asnjë ndryshim nga Hugo Chavez, madje ke përsosur makinerinë e propagandës…atë makineri që shumë shpejt do të të fundos ty dhe grabitësit e votave që ke nga pas.”, shprehet Spahiu.
Zëri i Amerikës pak ditë më parë, bazuar mbi dokumente të prokurorisë ka raportuar mbi dyshime në shit-blerjen e votave nga zyrtarë të PS-së, përfshirë Dakon, në bashkëpunim me grupe kriminale, apo konkurse fiktive punësimi.
“Ka degradim të Zërit të Amerikës, ulje të atij televizioni, ka qenë një inspirues në vitet 80”, tha Dako dje nga një studio televizive.