Pas disa raportimeve në media se “ABI Bank” kishte zvogëluar kapitalin e shoqërisë me 50 milionë dollarë, në të njëjtën periudhë kohore që përkonte me largimin e Linda Ramës nga bordi i bankës, Hashtag.al i’u drejtua bankës me tre pyetje ne lidhje me këto veprime.
Zyra e marrëdhenieve me publikun të Bankës nëpermjet komunikimit via-email me Hashtag.al, komunikoi përgjigjet në emër të drejtorit të Bankës, Andi Ballta.
Drejtori Ballta e lidh zvogëlimin e kapitalit me borxhet e prapambetura të bankës ne periudhën kur ajo ishte në pronësi “Credit Agricole”, duke u shprehur se humbjet nuk kanë lidhje me periudhën kur banka drejtohet nga investitorët amerikanë.
Ballta e quan “netim” këtë lëvizje të zvogëlimit të kapitalit, ndërsa ka pretenduar se pjesëmarrja në bord e bashkëshortes së kryeministrit është nismë e tij personale duke shpjeguar se ndërmjet tij dhe Linda Ramës ka patur një miqësi të hershme.
Cila është arsyeja që më datë 11 janar 2019, vlera e kapitalit tuaj zvogëlohet me 5 miliardë lekë?
Kapitali i “ABI Bank” nuk është zvogëluar asnjëherë në asnjë moment. Perkundrazi veçse është rritur si pasojë e fitimeve (edhe ky informacion i rritjes është i plotë dhe publik në Qendrën Kombëtare të Regjistrimit). Informacioni i raportuar në mënyrë dashakeqëse në disa media lidhet jo me zvogëlimin, por vetëm me netimin e kapitalit fillestar të paguar me humbjet e akumuluara përpara blerjes së bankës “Credit Agricole Albania” nga “ABI Bank”. Pra kapitali fillestar i bankës përpara blerjes nga ABI u netua me humbjet e periudhës po përpara blerjes nga ABI.
Ky netim tërësisht teknik i kapitalit fillestar të paguar nuk ka të bëjë fare me “ABI Bank” dhe u krye për të identifikuar rezultatet e shkëlqyera gjatë manaxhimit të “ABI Bank” pas një periudhe tre vjecare ku kapitali vetëm është rritur. Nga ana kontabël, ky veprim nuk ka asnjë efekt në totalin e kapitalit të bankës.
Si u tha më sipër, totali i kapitalit të bankës që nga koha e blerjes në Tetor 2015 është rritur me milarda lekë si pasojë e fitimeve gjatë vitit 2016, 2017 dhe 2018. Theksojmë që ky veprim kontabël është standard, teknik, fare i zakonshëm dhe krejt i parëndësishëm dhe për më tepër me aprovimin paraprak të Bankës së Shqipërisë.
“ABI Bank” sot është një nga bankat më likuide dhe me kapital shumë të lartë, si rrjedhojë e rezultateve pozitive në tre vitet e fundit. Çdokush mund të pyesë dhe të marrë informacion tek Banka e Shqipërisë, Shoqata e Bankave apo burime të tjera publike, të pavarura dhe transparente.
Ne jemi shume të ndërgjegjshëm për korrektesën në dhënien e këtij informacioni nga kushdo që është interesuar të pyesë dhe vlerësojmë komentet e plota dhe korrekte publike apo dhe private të Bankës së Shqipërisë dhe enteve të sipërpërmendura që janë prononcuar në mënyre të plotë sa herë janë pyetur.
Cilat janë humbjet tuaja për periudhën janar-dhjetor 2018 dhe janar 2019?
“ABI Bank” gjatë vitit 2018 dhe gjatë Janarit 2019, nuk ka humbje. Fitimi gjatë vitit 2018 pritet të jetë mbi 600 milionë lek dhe gjatë Janarit 2019 mbi 70 milionë lekë.
Cila është arsyeja që anëtari i Këshillit Drejtues, znj.Lindita Rama është larguar?
Zonja Rama ka qenë për tre vjet në Bordin e “ABI Bank”. Arsyeja pse Linda u ftua në Bord është për aftësite e saj profesionale, njohjes time profesionale me të që në vitin 1993, të qenurit një zonjë me reputacion të padiskutueshëm dhe nivelit të lartë të sofistikimit që një investitor i sofistikuar si NCH kërkon të ketë në Bordin e tij.
Largimi i saj nga Bordi është sipas standarteve dhe praktikave të institucioneve financiare të rikompozimit të Këshillit Drejtues. Zonja Rama është një nga dy anëtarët që do të zëvendësohen nga dy profesionistë të shkëlqyer amerikanë me eksperience të gjate në fushën e bankës dhe financës.
Në kuadrin e një periudhe në Bord prej tre vjetësh dhe bashkimit të ABI me NBG është normale një rifreskim i Bordit. Ne jemi në proces të aprovimit të dy kandidatëve të rinj. Çështja e përbërjes së Bordit për ne ka qëne dhe është shumë e qartë, transparente dhe tashmë është e mbikonsumuar për mëse dy vjet.
Personalisht jam ndjerë thellësisht i trishtuar nga sulmi që i është bërë një femre dhe profesionisteje karriere si zonja Rama. Gjithsesi, zonja Rama nuk është më anëtare e Bordit të “ABI Bank” dhe mbase ka ardhur koha që kjo temë e mbikonsumuar të mbyllet.
/Hashtag.al