Vendosni fjalën kyçe....

Qasje personale Versus Qasje Institucionale


Nga Elona Caslli

” Aty ku mbaron zhurma fillon puna” -do të shprehej Besa Shahini në një status të sajin.

Në Kabinetin Qeveritar të Rilindjes vihet re që anëtarët, janë të pandërgjegjshëm se përfaqësojnë një Institucion në këtë vend.

Qasja e tyre ndaj situatave të caktuara është qasje personale dhe jo qasje institucionale.

Të pavetëdijshëm për çka përfaqësojnë, çdo ditë e më shumë zhvlerësojnë institucionin që përfaqësojnë dhe autoritetin e këtij të fundit.

Besa Shahini në një takim me disa anëtarë të stafit akademik tha- Do të zhvillojmë takimin në çdo Universitet dhe do të marr me vete edhe stafin tim, që do të marrë shënim gjithçka do të thuhet në mënyrë që të zgjidhim problemet. “

Mjafton vetëm kjo deklaratë për të kuptuar që Zonja në fjalë, ka një qasje personale ndaj çështjes dhe aspak institucionale.

Dikush mund të marrë shënim një numër telefoni në shpejtësi e sipër, sepse nuk e ka celularin me vete. Mund të marrë shënim një titull libri, apo një adresë shtëpie, por kurrsesi sugjerimet apo vërejtjet e një Stafi të caktuar akademik, mbi Ligjin e Arsimit të Lartë.

Sugjerimet mbi një Ligj paraqiten dhe nuk merren shënim.

Qasja institucionale dikton qartazi protokollin përmes të cilit Titullari i Institucionit ( Besa Shahini në këtë rast) përmes një shkrese

që firmoset nga ajo vetë , u kërkon të gjitha Universiteteve në vend, që brenda një periudhe kohe të caktuar të paraqesin të gjitha sugjerimet apo vërejtjet që kanë mbi Ligjin e Arsimit të Lartë.

Rektori i çdo Universiteti pasi prezantohet me shkresën në fjalë, ngre një grup pune me përfaqësues të çdo Fakulteti, të cilët rendisin sugjerimet apo vërejtjet përkatëse.

Materiali në fjalë i dërgohet Ministrisë së Arsimit, e cila, pasi ka shqyrtuar të gjitha sugjerimet apo vërejtjet në fjalë, organizon një takim me të gjithë përfaqësuesit e Universiteteve në vend për të marrë vendimet e duhura për çështjen në fjalë.

Kjo është një qasje institucionale.

Besa Shahini në çdo shfaqje të sajën, na ka shtrënguar të përballemi me një qasje personale, duke mos qenë e vetëdijshme që qasja personale është në përpjestim të drejtë me zhvlerësimin institucional

Post Scriptum- Besa Shahini nuk është veçse Besa Shahini. Besa Shahini është një Institucion. Besa Shahini është Ministria e Arsimit dhe Sportit. Në çdo largim apo shmangie të sajën, largohet dhe shmanget paralelisht edhe institucioni që ajo përfaqëson.


Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *