Kryetari i Partisë Demokratike Lulzim Basha, pas takimit me qytetarët e Mallakastrës, ka zhvilluar një takim edhe me ata të Fierit.
Gjatë këtij takimi, Basha foli për protestën e studentëve, ku u tha atyre që nuk ka shanse që ta humbasin vitin akademik, përkundër asaj që ata dëgjojnë t’u thuhet nga mazhoranca dhe rektorët.
“Asnjë shans nuk ka Edi Rama t’ju djegë vitin akademik. Viti akademik i studentëve do të jetë i plotë, do të njihet i plotë dhe do të njihet bashkë me mirënjohjen e thellë të qytetarëve shqiptarë, për rolin e tyre në këtë zgjim të madh kombëtar, që ka e do të ketë vetëm një përfundim: çlirimin e Shqipërisë nga Oligarkia, çlirimin e Shqipërisë nga krimi dhe kthimin e Shqipërisë tek zotët e saj të vërtetë, që jeni ju qytetarët e lirë shqiptarë, qytetarët e lirë të Fierit dhe gjithë Shqipërisë.
Dëshpërimi, humbja e shpresës, dyshimi, mosbesimi janë armët e fundit të kësaj bande në pushtet, ndaj ju ftoj me 16 shkurt të vini të gjithë në Tiranë, t’ja hedhim në Lanë këto armë, bashkë me propagandën në mënyrë që të gjithë sëbashku të ndezim motorët e ekonomisë dhe mirëqenies.”, tha Basha.
Në bashkëbisedimin me një grup të rinjsh, Basha u kujtoi atyre se janë ata që do e marrin në dorë vendin më vonë.
“Ju do e merrni në dorë, koha kalon shumë shpejt dhe qeveria do t’ju mbështesë. Jo kjo qeveri, por ajo që do të vijë.”, janë fjalët e Bashës.
Basha shtoi se qeveria e re që do të vijë, ajo e drejtuar nga PD do të ulë taksat dhe do të krijojë kushte më të mira për qytetarët.