Pas raportimeve për vdekjen e dy personave që mendohet të jenë prekur nga gripi i Derrit, shefja e reanimacionit Alma Cani tha se nuk bëhet fjalë për grip derri por për grip sezonal.
Mjekja tha në një prononcim për “News 24” se janë tre raste në gjendje të rëndë aktualisht në reanimacion, ndërsa foli edhe rastin e vdekjes së 41-vjeçarit nga Elbasani ditën e sotme.
Sipas mjekes, pacienti vuante nga një rast i rëndë kronik dhe ishte kjo që i kishte shkaktuar vdekjen dhe jo gripi i derrit përkundër informacionit që qarkullon nga mjekët e spitalit.
Mjekja tha se agresiviteti i gripit këtë vit nuk ishte aq i lartë sa vitet e tjera dhe që pacientët e prekur nuk janë vetëm nga Elbasani por edhe nga qytetet e tjera.
“Pacienti vuante nga një patologji kronike. Ishte në reanimacion dhe nuk mundi të mbijetonte. Sa i përket gripit ne nuk kemi konfirmim për raste me grip derri, por janë të prekur nga gripi sezonal, kryesisht pacientë që vuajnë edhe nga sëmundje të tjera, përfshi këtu moshat e treta që janë më pak rezistente ndaj këtyre virozëve. Këshilloj të bëhet vaksinimi paraprak dhe duhet të jenë në kontakt me mjekët e familjes dhe mjekët specialistë.
Nga Elbasani ka patur më shumë pacientë edhe për faktin se është edhe më afër sezonit tonë por s’ka lidhje sepse këtu vijnë pacientë nga e gjithë Shqipëria.
Gripi fillon me temperatura të larta, kollë, sekrecione, dhimbje koke, dhimbje fyti. Nëse nuk trajtohen merren antigripalët.
Ato kalojnë pastaj në komplikacione që shfaqen me pulmoni dhe ndjeshmëria është më e madhe tek ata qytetarë që kanë probleme kronike. Duhet të jenë kujdesshëm.”, tha mjekja.
Një 41-vjeçar ndërroi jetë mëngjesin e sotëm në Spitalin e Sanatoriumit dhe një 47-vjeçar humbi jetën të premten, si pasojë e komplikacioneve të rënda në mushkri që dyshohet se janë shkaktuar nga agjentë virale grip.
41 vjeçari-nga Elbasani Arben Sula, sëbashku me dy të tjerë u dërguan me urgjencë drejt Sanatoriumit të Tiranës dhe dyshoheshin se ishin prekur nga gripi i derrit.
Dy personat e tjerë nga Elbasani të dyshuar me grip derri ndodhen në gjendje të rëndë shëndetësore.
Ka patur 3 raste të rënda të referuara me pneumoni bilaterale me origjinë virale nga spitali rajonal i Elbasanit në harkun kohor të 10 ditëve të fundit.
Dy prej rasteve janë të moshës nga 35-40 vjeç dhe janë vendosur në ranimacion në terapi intensive.
Si transmetohet gripi i Derrit:
Gripi i derrit është sëmundje që prek sistemin respirator të derrave shkaktuar nga virusi A(H1N1) që zakonisht prek derrat.
Gripi kalon nga njeriu i prekur që e ka marrë virusin përmes kafshës. Tek njerëzit e tjerë.
Gripit i derrit mendohet se shpërhapet në të njëjtën mënyrë sikurse edhe gripi sezonal me rrugë aerogjene (aerosole) nga kollitja dhe tështitja e personave të sëmurë me virusin e gripit përmes ajrit dhe bisedimi.
Te ky grip infeksioni mund të ndodh edhe me prekjen e objekteve të infektuara më këtë virus.
Simptomat te gripi i derrit janë pothuajse të njëjta ose shumë të ngjashme me ato të gripit të zakonshëm (sezonal).
Disa nga simptomat që tregojnë se mund të jesh prekur nga ky grip janë: Temperatura, e cila pothuajse është çdo herë prezente me vlera mbi 39.4°C në 12 orët e para, ftohje (acarim), dhimbje të kokës, dhimbje të muskujve, humbje të apetitit Molisje (lodhje ekstreme), skuqje dhe djegie e syve, kollë e thatë etj. Në disa raste po shfaqen edhe simptoma të tilla si, marramendja, vjellje dhe diarreja./ Hashtag.al