Banorët e Astirit të cilët protestojnë prej muajsh kundër shembjes së banesave të tyre, kanë zhvilluar sot një takim me presidentin e vendit Ilir Meta.
Presidenti i Republikës, priti sot një përfaqësi të banorëve të “Unazës së Re”, të cilët i bënë të ditura atij kërkesat e tyre.
Meta u tha banorëve se e ka ndjekur me shumë shqetësim dhe vëmendje maksimale situatën, si dhe ka kërkuar prej kohësh me insistim informacion zyrtar shterues nga të gjitha instancat shtetërore përgjegjëse për këtë çështje.
Në një njoftim të presidencës thuhet që Meta u premtoi qytetarëve, banesat dhe pronat e të cilëve preken nga projekti i segmentit rrugor “Mbikalimi i pallatit me shigjeta-Rrethrrotullimi i sheshit ‘Shqiponja’”, se së shpejti do të bënte të ditur qëndrimin e tij për një zgjidhje sa më të shpejtë të këtij problemi.
“Presidenti Meta u garantoi banorëve të “Unazës së Re” se së shpejti do të mbajë një qëndrim të qartë zyrtar, për të gjetur një zgjidhje të shpejtë në përputhje me kornizën kushtetuese e ligjore, si dhe në interesin më të mirë publik e qytetar.”, thuhet në njoftim.
Banorët i thanë presidentit se kanë mbi tre muaj në protestë, por kërkesat e tyre kanë rënë në vesh të shurdhër.
“Asnjëri nga deputetët e PS-së nuk është bërë i gjallë. Dhe ne vendosëm që ti bëjmë një peticion presidentit dhe që po na pret. Ne kërkojmë që të shfuqizohet projekti dhe. Nuk kemi pse ta takojmë ministren e re ajo është vrazhda e këtyre. Këtë duhet ta marrin vesh edhe ambasadat. Le të vijnë të na shikojnë sepse ne nuk jemi budallenj që protestojmë për disa muaj rresht.”- u shpreh një nga banorët.
Pak ditë më parë banorët e Astirit firmosën një peticion, të cilin do t’ja dorëzonin Metës, ku kërkojnë ngritjen e nje grupi hetimor për zbardhjen e projektit për “Unazën e Madhe”, të cilin e konsiderojnë një projekt korruptiv. /Hashtag.al