Vendosni fjalën kyçe....

2 muaj heshtje për përdhunimin e 13-vjeçares, institucionet asnjë reagim zyrtar


Edhe pse kanë kaluar disa ditë qëkur doli lajmi për përdhunimin e një nxënëseje 13-vjeçare në Kavajë, ende nuk kemi asnjë reagim zyrtar nga institucione si Policia dhe Prokuroria, drejtoria e shkollës apo drejtoria arsimore.

Më dy shkurt, ishte i pari ish-kryeministri Sali Berisha që publikoi denoncimin e një qytetareje, e cila tregonte se një nxënëse e shkollës 9-vjeçare “Rilindja” në Kavajë, ishte përdhunuar nga një grup adoleshentësh dhe se ngjarja po mbahej e fshehur.

“Përdhunohet nxënësja, fshihet krimi! Ndaj përdhunuesve nuk merret asnjë masë, anëtarësohen në FRESSH-in kanabist. Lexoni mesazhet e qytetarëve dixhitalë! ”, shkruante Berisha këtë të shtunë.

Qytetarët i tregonin Berishës se ngjarja kishte dy muaj që kishte ndodhur dhe pavarësisht kësaj, as policia dhe as drejtoria e shkollës nuk kishin marrë asnjë masë.

Mesazhi 1:  “Doktor përshendetje. Jam një zonjë nga Kavaja. Dua të denoncoj mënyrën flagrante se si drejton sot ZA e Kavajës zonja, Sonila Peza. Prej 2 muajsh në shkollën 9-vjeçare “Rilindja” 8 nxënës të asaj shkolle kanë përdhunuar një vajzë. ZA dhe drejtoresha e saj nuk kanë marrë asnjë masë për këtë skandal. Kemi frikë të çojmë fëmijët në shkollë . Këto janë drejtoreshat e shkollave të rilindjes. Ju lutem publikojeni.”

Mesazhi 2: “Përshëndetje doktor Berisha. Në shkollën 9-vjeçare “Rilindja “Kavajë perpara 1 muaji u përdhunua nga një grup prej 8 djemsh një vajzë 13 vjeçare. Kjo ngjarje është mbajtur e fshehtë nga të gjithë instancat. I gjithë qyteti e di Respekte. Ju lutem anonim pasi ju e dini shumë mirë se çfarë ndodh më pas.”

Menjëherë pasi lajmi i bërë publik së pari nga ish-kryeministri u bë viral, media të ndryshme filluan të raportonin “me burime” nga policia se ngjarja kishte ndodhur dhe se djemtë përgjegjës qenkan arrestuar pikërisht ditën e bërjes publike të lajmit dhe të djelën u dha dhe vendimi për mbajtjen e 7 të rinjve në burg.

Gjykata e Durrësit dha vendimin për masën e sigurisë “arrest me burg” për 7 adoleshentët të cilët akuzohen se kanë përdhunuar 13-vjeçaren, si edhe shpalljen në kërkim të një tjetër 15-vjeçari. Adoleshentët akuzohen për veprën penale “marrëdhënie seksuale ose homoseksuale me të mitur”.

Por edhe pse tanimë lajmi ka qarkulluar, institucionet si policia, prokuroria, drejtoria e shkollës e as ajo arsimore, nuk kanë mbajtur një qëndrim publik për ngjarjen. As për t’ju përgjigjur akuzave të ish-kryeministrit se po fshehin ngjarjen.

Në media raportohet sërish “me burime”, se që prej nëntorit deri në janar vajza ka kryer marrëdhënie seksuale me 8 adoleshentët në ditë të ndryshme dhe nuk ka treguar nga frika e një video që djemtë zotëronin derisa prindërit kanë mësuar të vërtetën.

Gazetari Klodian Tomorri, në një shkrim ku flet për fshehjen e ngjarjes për dy muaj me radhë, kërkon hetim ndaj drejtuesve të shkollës dhe komisariatit të policisë: “Tani, hetim drejtuesve të shkollës për fshehje krimi. Hetim komisariatit të policisë për fshehje krimi dhe mosveprim. Deri në fund.”, shkruan Tomorri.

Mbrëmjen e kaluar, ishte përsëri ish-kryeministri Berisha, ai që denoncoi drejtuesit e institucioneve, duke thënë se “janë vënë në krah të përdhunuesve”, përfshirë drejtoreshën e shkollës, duke zbuluar se vëllai i saj është prokuror në Kavajë./Hashtag.al


Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *