Pas lajmit për gjetjen e rrënojave të avionit me të cilin po udhëtonte futbollisti i zhdukur Emiliano Sala, ka reaguar babai i tij Horacio Sala.
Në një prononcim për “Cronica TV” në Argjentinë, zoti Sala tregoi ankthin që ka përjetuar.
“Nuk mund ta besoj, kjo është një ëndërr, një ëndërr e keqe, unë jam i dëshpëruar.
Kam komunikuar me ta çdo ditë, por pasi që nuk kam ‘Whatsapp’ ishte e vështirë të merresha vesh. Ata më thanë se ditët kaluan dhe nuk kishte lajme për Emilianin apo avionin”, tha Horacio Sala.
Policia e Guernsey-it bëri thirrje për kërkimin fillestar për Sala pas katër ditësh, para se të mblidheshin paratë për të financuar një ekip privat për të vazhduar kërkimet, shkruan “Mirror”.
Mbetjet e avionit të zhdukur u gjetën në shtratin e Kanalit Anglez të dielën në mëngjes ndërsa trupi i futbollistit argjentinas dhe pilotit nuk janë gjetur akoma.
Reporteri i Sky News Tom Parmenter shkroi në Twitter për të konfirmuar zbulimin.
“Mbeturinat u gjetën në shtratin e detit të Kanalit të La Mansh këtë mëngjes dhe tashmë janë identifikuar në mënyrë pozitive – anija kërkimore e udhëhequr nga @davidlmearns bëri zbulimin. Anija @ aaibgovuk mbetet në zonë për të mbikëqyrur nxjerrjen” – shkruan Parmenter.