Ka patur një përplasje sot mes rektorit të universitetit “Luigj Gurakuqi” në Shkodër, Adem Bekteshi dhe dy studentëve.
Fillimisht rektori u ka kërkuar atyre të hapin rrugën, pasi nuk po e linin të shkonte në zyrë.
Por studentët e vendosur nuk e kanë lejuar as rektorin, as pedagogët në tre fakultete, të futen brenda duke u bllokuar hyrjet. Debati ka vazhduar me gjendjen e kaldajave në fakultet, të cilat janë të prishura.
Një nga studentet e ka paralajmëruar rektorin se do të dalin të gjitha të vërtetat për ato çfarë ndodhin në Universitetin e Shkodrës, ato për tenderat e deri te pastërtia e figurës së vetë rektorit dhe vlefshmëria e diplomës së tij.
Pas një diskutimi të gjatë, rektori Bekteshi vendos të bëjë një mbledhje sot në orën 12 me studentët për të dëgjuar kërkesat e tyre.
Ai u kërkon dy studentëve që t’u mbushin mendjen edhe atyre të tjerëve që të marrin pjesë.
Diskutimi:
Studentja: Na kishit thënë që në fillim që është e prishur, jo tani në fund, pasi të shkojmë në spitale.
Adem Bekteshi: Kanë shku me i rregullu mo
Studentja: Kur shkuan? Pasi të shkojmë ne nëpër spitale, pasi të marrim ftohje të rënda
Studenti: U desh me u bo copë që me rregulluar një kaldajë.
Adem Bekteshi: Jo mor jo Aaa të lutem profesor, a e shikon se sa e sa probleme janë. Mos e merr personale
Adem Bekteshi: Nuk e marr personale, por hapuni se keni bllokuar zyrat e universitetit
Studentja: Do e hapim kur t’i kemi vërtetuar të gjitha, sa i pastër je ti, ça doktorature ke ti..
Adem Bekteshi: Uuu në vend…
Studentja: Tenderi i ri ku ka shku? Normal të gjitha kanë për t’u vërtetuar. Kush student është me parti, të gjitha do të dalin duke filluar e para nga unë.
Adem Bekteshi: Të gjitha keni me i pa
Studentja: Edhe tenderi i ndërtesës Edhe tenderat, të gjitha keni për t’i parë, nuk fsheh gjë e nuk dua të fsheh gjë
Adem Bekteshi: Ti bëre një thirrje të gabuar, se unë s’kam nevojë me sjellë polici
Studentja: Jo s’kam bërë asnjë thirrje të gabuar, atëhere kishe larguar punëtorët mos ta thoja unë atë fjalë. Ne na ka interesuar 25% i Këshillit Studentor që s’na ka ndihmuar fare
Adem Bekteshi: Në 12 kemi mbledhje, do vini të gjithë e do vini të diskutoni me mua. Ku të doni ju.
Studenti: Me kë e keni diskutuar profesor por unë se di.
Adem Bekteshi: Me ty
Studenti: Me mua bën mbledhje të jashtëzakonshme po me senatin pse nuk ke bërë
Adem Bekteshi: E kam bo, pse nuk është mbledh senati.
Studenti: Unë mund të jem i marrë, duhet ma bo pyetje. detyra jote është me mbledh senatin me i shqyrtu
Adem Bekteshi: Qysh nesër
Studenti: Aa po janë shumë nesër që s’i keni bërë profesor sepose pavarësisht axhendës që keni se unë nuk e di, ia vlen me i mbledh sepse besoj pedagogët e kanë dashamirësinë me ardh
Adem Bekteshi: Ti e di shumë mirë që vendimi që merr është i nxituar
Studenti: Absolutisht nuk është vendim i nxituar se janë vendime të menduara që prej dy muajsh
Adem Bekteshi: Në orën 12 unë vij aty me gjithë rektoratin, të jeni aty
Studenti: Unë nuk e di, nuk e marr përgjegjësinë e të gjithë studentëve
Adem Bekteshi: Hajdeni dhe më ndihmoni t’i mbledh, hajdeni dhe diskutojmë
Studenti: Për me ik me fol Unë këtë s’e bëj dot kurrë, me një lule s’del pranvera, duhen shumë lule
Adem Bekteshi: Me ju dhënë afate për t’i kry
Studentët e Universitetit “Luigj Gurakuqi” në Shkodër, pak para orës 08:00 studentët vendosën të bllokojnë me karrige derën hyrëse të universitetit, duke mos lejuar futjen e studentëve të tjerë dhe pedagogëve dhe të zhvillohet procesi mësimor, duke mos lënë as rektorin Adem Bekteshi të hyjë në zyrë.
Rektorati i Universitetit të Shkodrës “Luigj Gurakuqi”, kishte njoftuar nisjen e procesit mësimor për sot, por studentët nuk e kanë lejuar këtë pa u plotësuar kërkesat e tyre.
“Në bazë të vendimit të publikuar nga Rektorati para disa ditësh ne kemi vendosur të përshkallëzojmë situatën, siç ishte kjo e sotmja që të bllokonim administratën brenda, po ashtu edhe tre tre fakultetet e tjera, godina e Juridikut, godina e Fakultetit të Shkencave që qëndron prej një jave e mbyllur, po ashtu edhe godina e Gjuhë-Letërsisë. Jo as sot s’do bëjmë mësim e as në ditët në vijim derisa të na plotësohen kërkesat tona”, tha një studente.
Studentët e kanë bërë të qartë tashmë se nuk janë dakord me “Paktin për Universitetin” dhe kërkojnë plotësimin e të gjitha kërkesave./Hashtag.al