Pedagogët e Fakultetit të Shkencave Sociale, kanë lajmëruar se sot do të nisin një grevë, pas mungesës së një përgjigjeje nga ana e Ministrisë së Arsimit për kërkesat e tyre.
Edhe pse në rrjet qarkulluan dje dy versione, një për vendimin e pedagogëve për grevë urie dhe një tjetër për një skemë të rifillimit të mësimit, Asambleja e Pedagogëve të Fakultetit të Shkencave Sociale sqaroi përsëri se vendimi i tyre për grevë është i detyrueshëm, sepse është një vendim i marrë nga shumica e organit më të lartë vendimmarrës së fakultetit, duke shtuar se kush shkel grevën shkel dhe ligjin, por dhe statutin e Universitetit të Tiranës e etikën pedagogjike.
Ata kanë ftuar edhe pedagogët e fakulteteve të tjera që t’u bashkohen.
“TË HËNËN GREVË
Faqja e Fakultetit të Shkencave Sociale ka postuar dy dokumente në kundërshti me njëra-tjetrën. Në fillim shpallet vendimi për grevë i asamblesë së personelit akademik, pastaj një skemë e rifillimit të mësimit, a thua se nuk ka grevë.
Na del detyra të sqarojmë se, sipas logjikës së shëndoshë dhe statutit të Universitetit të Tiranës, asambleja e personelit akademik është organi më i lartë vendimmarrës i një fakulteti. Kjo asamble zgjedh rektorin, dekanin dhe anëtarët e senatit akademik, si dhe u kërkon llogari të zgjedhurve për mënyrën se si ushtrojnë detyrën.
Asambleja e personelit akademik të FSHS është mbledhur në respektim të nenit 45, pika 3 të statutit të UT. Pro grevës kanë votuar jo vetëm thuajse të gjithë pjesëmarrësit në asamble, 36 nga 38 vetë, por edhe shumica absolute e pedagogëve të Fakultetit të Shkencave Sociale (gjithsej 71 vetë, duke përfshirë këtu pedagogët që nuk morën pjesë në asamble). Çka do të thotë se vendimi i saj për grevë është i detyrueshëm ligjërisht edhe për ata që kanë votuar kundër, edhe për ata që nuk janë paraqitur në asamble, edhe për pedagogët e jashtëm. Kush shkel grevën, shkel ligjin, statutin e UT dhe etikën pedagogjike.
U bëjmë thirrje studentëve të solidarizohen me pedagogët, të cilët do të mblidhen të hënën në orën 8 në oborrin e Fakultetit të Shkencave Sociale!”, thuhet në njoftimin e pyublikuar nga Asambleja e pedagogëve të Fakultetit të Shkencave Sociale.
Sakaq edhe studentët e këtij Fakulteti, kanë njoftuar përmes rrjeteve sociale se do vazhdojnë bojkotin në fakultet.
Sot në orën 8:00 studentët do mblidhen në hollin e fakultetit. Në orën 9:00 pedagogët nisin zyrtarisht grevën e tyre.
Ndërsa në orën 10:00 do jetë i ftuar special Albin Kurti ku do mbajë një ligjërim mbi Protestat Studentore dhe gjendjen e arsimit aktual, sikurse tregon dhe axhenda e mëposhtme./Hashtag.al