Vendosni fjalën kyçe....

Prokuroria reagon pas dy muajsh për përdhunimin e dyshuar të 13-vjeçares: Kërkojmë mirëkuptim!

Prokuroria e Durrësit ka reaguar për herë të parë zyrtarisht në lidhje me ngjarjen e rëndë që ka ndodhur në Kavajë, ku dyshohet se u përdhunua një nxënëse 13-vjeçare.

Përmes një njoftimi të vonuar prej dy muajsh, kjo prokurori njofton se po kryhen hetimet për çështjen dhe se rasti po trajtohet me impenjimin e duhur dhe maksimal në zbatim të detyrës dhe në përputhje me normat dhe detyrimet që parashikon Kodi i Drejtësisë Penale për të Mitur.

Në njoftim thuhet po ashtu se identiteti i të akuzuarve është mbajtur i fshehtë për shkak të moshës së tyre fare të re ndërsa kërkohet mirëkuptimi i medias dhe i publikut në lidhje me mospublikimin e të dhënave për rastin në fjalë, pikërisht për shkak të moshës së mitur të personave të përfshirë.

“Prokuroria pranë Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Durrës po kryhen hetime për çështjen penale që bën fjalë për veprën penale të marrëdhënies seksuale me të mitur parashikuar nga neni 100/2 K.Penal.

Rasti në fjale po trajtohet me impenjimin e duhur dhe maksimal në zbatim të detyrës dhe në përputhje me normat dhe detyrimet që parashikon Kodi i Drejtësisë Penale për të Mitur.

Duke marrë shkas nga natyra e veprës penale, personin e mitur që është viktimë e veprës penale dhe të miturit në konflikt me ligjin, që të gjithë të mitur nën moshën 16 vjeç, për rastin hetimi është trajtuar nga Prokurorë të Seksionit për të Mitur pranë kësaj Prokurorie, sipas përcaktimeve të Kodit të Drejtësisë Penale për të Mitur.

Për këtë janë mbajtur parasysh në lidhje me publicitetin e këtij hetimi kërkesat e parashikuara në këtë Kod dhe sidomos ato që kanë të bëjnë me mbrojtjen e jetës private të të miturit, si dhe me mospublikmin e të dhënave për këtë rast, përcaktime të parashikuara në nenet 33, 43  të Kodit të Drejtësisë Penale për të Mitur.

Sa më sipër në respektim të të drejtave të të miturve, për mosndërhyrjen në jetën private dhe në mospublikim e të dhënave që kanë të bëjnë me rastin në fjalë dhe në respektim të detyrimeve që parashikohen në dispozitat ligjore për trajtimin e të miturve, kërkojmë nga ana juaj mirëkuptimin dhe zbatimin e këtyre dispozitave ligjore.”, thuhet në njoftimin e Prokurorisë.

Ky reagim vjen dy muaj me vonesë. Edhe pse lajmi ka dalë që të shtunën, prokuroria e Durrësit ka reaguar vetëm sot në rrugë zyrtare për përdhunimin e nxënëses 13-vjeçare.

Policia, Prokuroria, drejtoria e shkollës apo drejtoria arsimore nuk kishin bërë asnjë reagim zyrtar deri më tani dhe të dhënat kanë qarkulluar në media përmes “Facebook”-ut të ish-kryeministrit apo “burimeve” nga policia e prokuroria të mediave.

Më dy shkurt, ishte i pari ish-kryeministri Sali Berisha që publikoi denoncimin e një qytetareje, e cila tregonte se një nxënëse e shkollës 9-vjeçare “Rilindja” në Kavajë, ishte përdhunuar nga një grup adoleshentësh dhe se ngjarja po mbahej e fshehur.

Qytetarët i tregonin Berishës se ngjarja kishte dy muaj që kishte ndodhur dhe pavarësisht kësaj, as policia dhe as drejtoria e shkollës nuk kishin marrë asnjë masë.

Menjëherë pasi lajmi i bërë publik së pari nga ish-kryeministri u bë viral, media të ndryshme filluan të raportonin “me burime” nga policia se ngjarja kishte ndodhur dhe se djemtë përgjegjës qenkan arrestuar pikërisht ditën e bërjes publike të lajmit dhe të djelën u dha dhe vendimi për mbajtjen e 7 të rinjve në burg.

Gjykata e Durrësit dha vendimin për masën e sigurisë “arrest me burg” për 7 adoleshentët të cilët akuzohen se kanë përdhunuar 13-vjeçaren, si edhe shpalljen në kërkim të një tjetër 15-vjeçari. Adoleshentët akuzohen për veprën penale “marrëdhënie seksuale ose homoseksuale me të mitur”. Djemtë e kanë pranuar veprën për të cilën akuzohen para uniformave blu dhe tani priten procedimet e mëtejshme të drejtësisë./Hashtag.al

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *