Vendosni fjalën kyçe....

Ermonela Jaho, “Violeta” shqiptare që shkëlqen në Londër (FOTO/VIDEO)


Sopranoja shqiptare Ermonela Jaho, i ka mahnitur sërish të gjithë të pranishmit në Royal Opera House në Londër, ku luajti rolin e Violetës së veprës së madhe të Verdit “La Traviata”.

Mediat britanike dhe ato ndërkombëtare, i kanë kushtuar një sërë artikujsh sopranos shqiptare gjatë këtyre ditëve.

Royal Opera House ka publikuar disa video të performancës së sopranos shqiptare, në njërën prej të cilave shkruante:“Kjo është prova se opera është forma më e fundit e artit. Thirrja emocionale e Ermonela Jahos, pasi dha 100% nga vetja në transmetimin live të “La traviata-s” në kinematë tona”.

Në një artikull të publikuar nga “The Stage”, Jaho citohet të ketë thënë “Herën e parë që e pashë ‘La Traviata’-n, mendova se do të vdisja nëse nuk do ta këndoja asnjëherë”.

Në një tjetër artikull po nga “The Stage” tregohen prapaskenat se si sopranoja shqiptare u zgjodh për këtë rol që mahniti publikun por dhe kritikët britanikë, si edhe një rezyme të shkurtër të jetës së saj.

“Për vite me radhë, sopranoja shqiptare Ermonela Jaho kishte dëshiruar të këndonte në Royal Opera House .

Ajo kishte ndërtuar një karrierë solide në të gjithë Evropën, por mungesa e një vize nënkuptonte se ajo nuk do kishte qenë në gjendje ta provonte në Covent Garden. Pastaj, një ditë në vitin 2008, krejt papritmas menaxheri i saj mori një telefonatë.

Sopranoja ruse Anna Netrebko do të hapte “La Traviata”-n  me një kastë artistësh me emër si Jonas Kaufmann dhe Dmitri Hvorostovsky. Por Jaho do të ishte zëvendësuese e Netrebko-s.”, kështu nis artikulli i medias britanike.

Në këtë artikull, vetë Jaho zbulon se çfarë kishte biseduar me sopranon ruse dhe si shkoi në Angli.

“Ana nuk e kishte anuluar ende, por nuk ndihej mirë. Më pyetën nëse doja të shkoja në Londër për çdo rast se nuk i dihej, kështu që morëm vizën dhe shkova. Kam fluturuar gjithë natën dhe ditën tjetër mbërrita, ndeza telefonin por s’kisha asnjë mesazh. Mendova me vete ‘Ajo do të këndojë’. Shkova në hotel për të pushuar kur më thirrën: ‘Do të jesh ti, hajde menjëherë’.”, tregon Jaho.

Jaho shkoi në prova ku ata i shpjeguan lëvizjet bazë në prodhimin e Richard Eyre. I rregulluan veshjen e Violeta-s duke e përshtatur për të dhe ajo do të bënte një bisedë të shpejtë me dirigjentin Maurizio Benini rreth tempos. Përveçse u prezantua shkurtimisht me dy kolegët e saj, Jaho nuk e kishte takuar as pjesën tjetër të trupës para se të dilte në skenë. Dhe Jaho ia doli të triumfonte atë mbrëmje.

“Ishte e pabesueshme. Publiku po priste për dikë tjetër, por vlerësoi përpjekjet e mia dhe ishte njëlloj sikur të bije në dashuri”., thoshte Jaho.

Jaho do të vazhdonte të këndonte në dy shfaqje të tjera për të njëjtin program dhe u kthye në mënyrë të përsëritur jo vetëm për “La Traviata”, por edhe për “Madam Butterfly” e Puçinit, dhe “La Boheme”, si dhe “Manon” i Massenet-it.

 “La Traviata”-s e Verdit në Royal Opera House këtë radhë u drejtua nga Antonello Mancorda, si dhe përfshiu një nga personazhet më të dashur të Royal Operla, Placido Domingon. 

Gazetarja e famshme e “CNN”-it, Christiane Amanpour, është një ndër të famshmit që ka mbetur e mahnitur nga sopranoja shqiptare.

Pak ditë më parë gazetarja ka ndarë me ndjekësit e saj në rrjetet sociale një foto me Jahon, ku shpreh vlerësimin e saj për të.

“Në prapaskenë këtë fundjavë dhe e mahnitur nga Ermonela Jaho, sopranoja e shkëlqyer shqiptare, që luajti Violetën në historinë tragjike të dashurisë të Verdit ‘La Traviata’.”, shkruan gazetarja e njohur.

Claire Seymour thotë në një artikull të publikuar në “OperaToday.com”, se këtë shfaqje e konsideron një “One ëoman shoë”.

“Në përgjithësi, kjo ishte një ‘One woman show’. Edhe pse në shfaqje luajtën artiste të mirënjohura që nga Catherine Carby si Annina dhe Simon Shibambu si Doktor Grenvil. Dhe artistët e tjerë si Jette Parker Young … Por ishte Jaho, e cila në Veprat 2 dhe 3 sidomos, urdhëroi dhe kërkoi vëmendjen tonë.”, shkruan Seymour.

Publiku europian duket se mezi pret ta ndjekë sërish Ermonela Jahon dhe jo vetëm për “La Traviata”-n, por edhe për shumë shfaqje të tjera.

VINI RE: Informacionet për këtë artikull janë marrë nga dy artikuj të “The Stage” dhe “OperaToday”/ Përshtati në shqip Hashtag.al


Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *