Vendosni fjalën kyçe....

Freedom House publikon raportin: Shqipëria mes vendeve pjesërisht të lira


“Freedom House” ka publikuar raportin për Demokracinë për vitin 2019-ë. Edhe këtë vit, raporti i Freedom House e radhit Shqipërinë në mesin e vendeve pjesërisht të lira, si Kosova, Maqedonia, Mali i Zi, Serbia dhe Bosnje e Hercegovina, Pakistani, Ukraina, Armeninia etj.

Shqipëria nuk ka patur asnjë ndryshim në raport me vitin e kaluar, Kosova dhe Maqedonia kanë patur një përmirësim të lhtë, kurse Serbia ka patur zbritje në pikë.

Te pjesa për rajonin e Ballkanit, raporti i Freedom House tërheq vërejtjen në veçanti për Malin e Zi, ku, siç thuhet, presidenti Millo Gjukanoviç ka vazhduar ta konsolidojë pushtetin shtetëror rreth vetes dhe klikës së tij, duke i shmangur standardet themelore të qeverisjes së mirë dhe duke tejkaluar rolin e tij kushtetues.

Serbia e cila në raportin e vitit të kaluar, ka qenë në mesin e vendeve të lira, këtë radhë ka rënë në kategorinë “pjesërisht e lirë”, për shkak të parregullsive zgjedhore, sulmeve ndaj gazetarëve të pavarur dhe mbledhjes de facto të kompetencave jashtëkushtetuese nga ana e presidentit Aleksandar Vuçiç.

Në këtë raport të publikuar nga grupi joqeveritar, me seli në Uashington, thuhet se edhe SHBA është në rrezik.

 “Derisa demokracia në SHBA mbetet e fuqishme për nga standardet globale, ajo është dobësuar ndjeshëm gjatë tetë vjetëve të fundit dhe sulmet e vazhdueshme të presidentit aktual mbi sundimin e ligjit, gazetarinë e bazuar në fakte dhe parimet dhe normat e tjera të demokracisë, kërcënojnë me rënie të mëtejshme”, thuhet në raport.

“Rreziku më i madh vjen nga fakti se demokracia amerikane nuk është pafundësisht e qëndrueshme, sidomos nëse një president tregon pak respekt për parimet e saj”, tha Michael J. Abramowitz, president i Freedom House.

“Ne kemi parë se si institucionet demokratike gradualisht po i dorëzohen presionit gjetkë në botë, si për shembull: Hungari, Turqi dhe Venezuelë. Vendet e tjera shohin se çfarë ndodh në SHBA dhe marrin sugjerime nga sjellja e liderëve të saj. Përkeqësimi i vazhdueshëm i demokracisë amerikane do të përshpejtojë rënien e demokracisë në mbarë botën”, tha Abramowitz.

Megjithatë sipas tij, dobësimi i demokracisë në SHBA nuk ka nisur me Trumpin, por “retorika dhe veprimet e presidentit i kanë dëmtuar masat mbrojtëse kryesore, përfshirë sundimin e ligjit dhe besimin se zgjedhjet janë të lira dhe të drejta”.

Nga 195 vendet e vlerësuara nga Freedom House, 86 janë të lira, 59 pjesërisht të lira dhe 50 jo të lira.

Në grupin e parë bëjnë pjesë Shtetet e Bashkuara, Franca, Gjermania, Mbretëria e Bashkuar e të tjera, ndërsa në fund të listës, më së paku të lira janë: Siria, Sudani Jugor, Eritrea, Turkmenistani dhe Koreja e Veriut.

 


Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *