Vendosni fjalën kyçe....

Kredia për ekonominë, me rënien më të madhe historike në 2018-n


Stoku i huasë për ekonominë zbriti në 532.6 miliardë lekë në dhjetor të vitit 2018, sipas të dhënave që janë publikuar sot nga banka e Shqipërisë. Në krahasim me një vit më parë, kredia e dhënë për bizneset, individët dhe institucionet shtetërore ka rënë me 3.2%, ose rreth 17 miliardë lekë më pak.

Të dhënat historike të Bankës së Shqipërisë tregojnë se kjo është rënia më e madhe vjetore historike, të paktën që nga viti 1997.

Nga fillimi i viteve 2000 deri në 2011-n, huaja për ekonominë u rrit me ritme të shpejta, edhe me 50% në periudhën 2006-2007. Më pas, ritmet u ngadalësuan, sidomos pas 2008-s, kur jo vetëm vendi filloi të ndjente pasojat e kredisë globale, por edhe kredia e pakthyer në banka arriti në 25%.

Pas kësaj periudhe huadhënia për ekonominë hyri në ngërç, duke reflektuar kujdesin e shtuar të bankave dhe mungesën e projekteve fisibël nga biznesi.

Në vitin 2018, rënia ka ardhur si rrjedhojë e disa faktorëve, që lidhen me tkurrjen e kredisë për bizneset dhe korporatat publike nga njëra anë dhe me nënçmimin e euros dhe fshirjen e kredive nga ana tjetër. Më e qëndrueshme ka qenë huadhënia për individët. Sipas deklarimeve të mëparshme të guvernatorit të Bankës së Shqipërisë, Gent Sejko, nëse hiqet efekti i euros dhe fshirjes, huaja për ekonominë është rritur me rreth 5%.

– Kredia për korporatat jofinanciare publike ra me 44% (-16.4 miliardë lekë), ku ndikimin kryesor e dha ristrukturimi i huasë së Koorporatës Elektroenergjetike Shqiptare (KESH), nga një hua e Bankës Europiane Për Rindërtim dhe Zhvillim, çka solli që huaja t’u shlyhej bankave vendase.

-Edhe kredia për bizneset, që zë peshën kryesore të huasë që bankat kanë dhënë në ekonomi (me gati 60% të totalit), u tkurr me rreth 3% (-11.6 miliardsë lekë). Në rënie ishte si huaja në lekë, ashtu dhe ajo në valutë (kjo e fundit e ndikuar edhe nga zhvlerësimi i euros).

Seyhan Pencapligil, drejtor i Bankës Kombëtare Tregtare, më të madhes në vend, ka pohuar në një intervistë të mëparshme për Monitor se ka një mungesë kërkese dhe ka pak projekte të mira që mund t’u jepet hua. “2018-a ishte një tjetër vit ku investimet private ishin veçanërisht të ulëta. Rezultati është mungesa e projekteve të shëndetshme dhe fizibël për investime. Duke thënë këtë, ne besojmë se shumica e bankave janë gati për të financuar projektet e duhura”, ka pohuar ai.

Ndryshe nga bizneset, bankat kanë qenë më të prirura të financojnë individët, të cilët kanë rezultuar kredimarrës më të mirë. Huaja për këtë segment u rrit me 3.7% e udhëhequr nga monedha vendase ndërsa në valutë u reduktua, teksa bankat preferojnë të kreditojnë individët në monedhën që kanë të ardhurat.

Në fund të 2018-s, kredia në lekë zinte 50.7% të totalit, me një rritje të lehtë nga 50.1% në fund të 2017-s. Që prej vitit 2011, kur zinte 60% të totalit, kredia në valutë është rezultuar në mënyrë të vazhdueshme.

VINI RE: Ky material është pronësi intelektuale e Monitor


Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *