Vendosni fjalën kyçe....

Sejko: Energjia ngadalësoi rritjen ekonomike


Prodhimi më i ulët i energjisë elektrike ka sjellë një ngadalësim të ekonomisë shqiptare gjatë muajve të fundit të 2018-ës. Por sipas guvernatorit të Bankës së Shqipërisë, Gent Sejko, kjo është vetëm e përkohshme, pasi rritja do të kapë sërish ritmin. Deklarata e Sejkos u bë në konferencën për shtyp pas mbledhjes së Këshillit Mbikëqyrës, që vendosi të mbajë të pandryshuar normën bazë të interesit.

Ekonomia shqiptare është duke ecur me motorët e ndalur, por sipas Bankës së Shqipërisë, kjo është vetëm një gjendje momentale. Guvernatori Gent Sejko deklaroi se rritja ekonomike do të përshpejtohet në vijim, duke u mbështetur tek kërkesa e brendshme, likuiditeti i sektorit financiar dhe vijimi i reformave strukturore.

“Të dhënat e disponuara sugjerojnë se ekonomia ka vijuar të rritet edhe në tremujorin e katërt, ndonëse me një ritëm më të ngadaltë se ai i tremujorëve paraardhës. Analizat tona sugjerojnë se ky ngadalësim pasqyron një kontribut më të ulët të prodhimit të energjisë elektrike dhe pritet të jetë i përkohshëm.

Projeksionet tona afatmesme nuk kanë pësuar ndryshime të ndjeshme. Trendet aktuale të zhvillimit ekonomik dhe faktorët ekonomikë e financiarë mbështetës të tyre, sugjerojnë se si ekonomia dhe presionet inflacioniste do të vijnë në rritje gjatë periudhës në vijim”, u shpreh Sejko.

Guvernatori i Bankës qendrore adresoi edhe rënien e stokut të kredisë vitin e kaluar, që sipas tij erdhi si pasojë e fshirjes nga bilancet të kredive me probleme dhe zhvlerësimit të euros. Duke përjashtuar efektet e këtyre faktorëve, Sejko deklaroi se kredia shënoi rritje me 5.9%. Megjithatë, kjo rritje mbështetet më tepër tek segmenti i individëve, ndërsa tek bizneset ka ndikuar shtrëngimi i kreditimit nga bankat.


Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *