Presidenti i Kosovës Hashim Thaçi është i bindur se Serbia do të njohë Pavarësinë e Kosovës, vetëm përmes procesit të korrigjimit të kufijve. “Duhet të punojmë për një zgjidhje kreative ku të dy palëve do t’u plotësohen interesat. Nuk ka njohje reciproke pa definimin e kufirit”.
Në një intervistë për Zërin e Amerikës, Thaçi garanton se korrigjimi i kufijve nuk cenon resurset shtetërore të Kosovës. “Mendoj që do të ishte shumë e logjikshme përfshirja e Preshevës, Medvegjës dhe Bujanovcit në territorin e Kosovës, duke mos i cenuar në asnjë rrethanë resurset e shtetit të Kosovës, as Gazivodën, as veriun e Mitrovicës, as Trepçën”.
Kreu i shtetit kosovar nuk ka një përgjigje për mundësinë e shkëmbimit të jugut shqipfolës të Serbisë me veriun serbishtfolës të Kosovës. “Unë nuk mund të përgjigjem në diçka që nuk më është kërkuar”.
Megjithatë një gjë është e sigurt, sipas Thaçit, që marrëveshja përfundimtare do të arrihet vetëm nëse Serbia pranon të njohë Kosovës si shtet të pavarur, çka garanton edhe njohjen ndërkombëtare të shtetit më të ri ballkanik.