Në pjesën për politikën e jashtme në fjalimin e tij mbi gjendjen e vendit, presidenti Donald Trump foli për dhënien fund të konflikteve ku trupat amerikane luftojnë për vite me radhë dhe për të parandaluar ato që ai i sheh si konflikte të ardhshme dhe që do të ishin të pashmangshme, nëse nuk do të ishin politikat e miratuara nga administrata e tij,raporton Zëri i Amerikës.
Presidenti vuri në dukje kostot e mëdha të luftërave në Afganistan dhe Irak, të cilat kanë rezultuar me vdekjen e rreth 7,000 trupave amerikane që nga viti 2001.
Ai tha se pas kaq shumë vitesh luftime në Afganistan, tani është koha “të paktën të përpiqemi për paqen”, duke shtuar se talebanët dëshirojnë të njëjtën gjë.
“Administrata ime po zhvillon bisedime konstruktive me një numër grupesh afgane, duke përfshirë edhe talebanët. Ndërsa përparojmë në këto negociata, ne do të jemi në gjendje të zvogëlojmë praninë e trupave dhe të përqendrohemi kundër terrorizmit”, tha presidenti Trump.
Ai ka urdhëruar gjithashtu tërheqjen e trupave amerikane nga Siria, ku ato luftojnë për të dëbuar grupin e Shtetit Islamik, pasi militantët u tërhoqën nga zona të mëdha të Irakut verior dhe Sirisë lindore në vitin 2014.
“Sot, ne kemi çliruar thuajse të gjithë territorin që mbahej nga terroristët gjakpirës. Tani që punojmë me aleatët për të shkatërruar mbetjet e ISIS-it, është koha t’u japim ushtarëve tanë të guximshëm në Siri një mirëseardhje të ngrohtë në atdhe,” tha presidenti Trump.
Pas një takimi të qershorit 2018 me udhëheqësin e Koresë së Veriut Kim Jong Un, presidenti Trump njoftoi të martën se do të takohet përsëri me zotin Kim më 27 shkurt në Vietnam.
Ai shpalli një listë të asaj që tha se ishin sukseset e një “diplomacie të re e të guximshme” ndaj Koresë së Veriut, duke përfshirë kthimin e pengjeve amerikane dhe ndalimin e provave bërthamore dhe me raketa, që pasuan takimin e parë.
“Po të mos isha zgjedhur president i Shteteve të Bashkuara, tani, sipas mendimit tim, do të ishim në një luftë të madhe me Korenë e Veriut,” tha presidenti Trump, duke shtuar se marrëdhënia e tij me zotin Kim “është e mirë”.
Retorika e tij ndaj Iranit ishte shumë më e fortë, në përputhje me tonin që nga koha kur u zgjodh president e ku u shqua për zërin kritik ndaj marrëveshjes ndërkombëtare që kufizoi programin bërthamor të Iranit në këmbim të lehtësimit të sanksioneve.
“Administrata ime ka vepruar me vendosmëri për t’u ballafaquar me sponsorin kryesor të terrorizmit në botë: regjimin radikal në Iran,” tha presidenti Trump në fjalimin e tij. “Është një regjim radikal, që bën gjëra të këqia”.
Vitin e kaluar, zoti Trump tërhoqi Shtetet e Bashkuara nga marrëveshja e njohur zyrtarisht si Plani i Përbashkët i Veprimit. Partnerët Britania, Kina, Franca, Rusia dhe Gjermania kanë mbetur të përkushtuara ndaj marrëveshjes së bashku me Iranin dhe agjencia e mbikëqyrjes bërthamore e Kombeve të Bashkuara ka certifikuar në raporte të shumta se Irani mbetet në përputhje me masat që synojnë të sigurojnë të parandalojnë Iranin të zhvillojë një armë bërthamore.
Ministri i Jashtëm iranian Mohammad Javad Zarif iu përgjigj komenteve të presidentit Trump në Twitter duke thënë se “armiqësia e SHBA-së e ka detyruar atë të mbështesë diktatorët, vrasësit dhe ekstremistët, të cilët vetëm e kanë shkatërruar rajonin tonë”.
Presidenti Trump njoftoi javën e kaluar për tërheqjen e SHBA-së nga një traktat 30-vjeçar i armëve bërthamore me Rusinë që i ndalonte vendet që të mbanin disa lloj raketash të caktuara. Presidenti Trump thotë se Rusia ka shkelur paktin, por Rusia e mohon.
Në fjalimin e tij të marten mbi gjendjen e vendit, presidenti Trump sugjeroi mundësinë e negocimit të një marrëveshjeje të re që do të shtonte fuqi të tjera bërthamore të tilla si Kina. Por në një koment që erdhi pak pasi theksoi një rritje në shpenzimet ushtarake të SHBA-së, ai paralajmëroi se në mungesë të një marrëveshjeje të tillë, “ne do t’ua kalojmë të gjithëve”.
Zoti Trump gjithashtu përdori një pjesë të fjalimit për të shprehur mbështetjen për popullin e Venezuelës, duke thënë se Shtetet e Bashkuara qëndrojnë me ta “në përpjekjen e tyre fisnike për liri”.
Vendi ka parë protesta masive përpara dhe pas rizgjedhjes së presidentit Nicolas Maduro vitin e kaluar në një votim që opozita e quajti një mashtrim.
Presidenti amerikan dënoi atë që ai e quajti “brutalitet” të qeverisë Maduro, duke thënë se politikat e saj e kanë vënë vendin “në një gjendje varfërie të egër dhe dëshpërimi”.
Zoti Trump përsëriti mbështetjen e SHBA-së për Juan Guaidon, i cili gjithashtu ka marrë mbështetjen e një numri të vendeve të Europës dhe Amerikës së Jugut që nga shpallja si president muajin e kaluar. Rusia dhe Kina janë midis qeverive që këmbëngulin se Maduro mbetet president.
Kina zuri një pjesë shumë më të shkurtër të fjalimit të zotit Trump që merrej me rivalitetin ekonomik.
“Ne tani po ia bëjmë të qartë Kinës se, pas shumë viteve gjatë të cilave ajo ka vënë në shënjestër industritë tona dhe vjedhjen e pronës sonë intelektuale, vjedhja e vendeve të punës dhe pasurisë amerikane ka marrë fund,” tha zoti Trump.
Ai përmendi tarifat e reja që ka vendosur për importet e mallrave kineze dhe tha se negociatat vazhdojnë drejt një marrëveshjeje të re tregtare SHBA-Kinë që ai këmbëngul se përfshin mbrojtjen e vendeve amerikane të punës, zvogëlimin e deficitit tregtar të SHBA-së me Kinën dhe dhënien fund të praktikave të padrejta tregtare.
Në një nga pak kërkesat specifike që ai bëri në sesionin e përbashkët të Kongresit të mbledhur për të dëgjuar fjalimin e tij, presidenti Trump u kërkoi ligjvënësve të miratojnë legjislacionin që do t’i përgjigjej çdo vendi që vendos tarifa mbi mallrat amerikane, duke miratuar tarifat ekuivalente mbi importet e produkteve të njëjta që importohen në Shtetet e Bashkuara.
Fokusi tjetër i tij ekonomik ishte tregtia me fqinjët, Kanada dhe Meksikë.
Pas vendimit të tij për të braktisur Marrëveshjen e Tregtisë së Lirë të Amerikës Veriore 1994, përfaqësuesit nga të tre vendet u mblodhën vitin e kaluar për të hartuar një marrëveshje të re tregtare të njohur si Marrëveshja Shtetet e Bashkuara-Meksikë-Kanada.
Marrëveshja e re ende nuk është ratifikuar, por presidenti Trump tha të martën se kjo marrëveshje do të nxiste vendet e prodhimit të SHBA-së, si dhe prodhimin e automobilëve, duke ndihmuar gjithashtu sektorin bujqësor dhe duke ofruar mbrojtje për pronën intelektuale.