Për herë të parë Banka e Shqipërisë ka bërë një deklaratë për shtyp lidhur me Bankën Amerikane të Investimeve duke sqaruar në mënyrë shteruese mënyrën sesi është bërë transferimi i kapitalit nga Banka Credit Agricole te shoqëria Tranzit sh.p.k, bazën e vendimmarrjes dhe përbërjen e aksionerëve.
- Në sqarimin e Bankës së Shqipërisë theksohet se transferimi i kapitalit është bërë me vendim Nr. 73 të datës 7 tetor 2015 të Këshillit Mbikëqyrës, që ka miratuar transferimin në masën 100 për qind të pjesëmarrjes influencuese në kapitalin aksionar të Bankës Credit Agricole Shqipërisë sh.a. nga IUB Holding, Francë tek shoqëria Tranzit sh.p.k., subjekt financiar jobankë regjistruar në regjistrin tregtar pranë Qendrës Kombëtare të Biznesit, në vitin 2009 e pajisur nga Banka e Shqipërisë me licencën nr. 20, datë 04.08.2010, për të ushtruar veprimtarinë financiare të kredidhënies. Pas këtij vendimi, në dhjetor 2015 është miratuar ndryshimi i emrit të Bankës Credit Agricole, Shqipëri në Banka Amerikane e Investimeve.
- Banka e Shqipërisë ka shpjeguar në mënyrë të qartë dhe shteruese basën ligjore të vendimarrjes për transferimin e kapitalit nga Banka Credit Agricole te shoqëria Tranzit sh.p.k., vendim i cili është marrë sipas dispozitave ligjore dhe nënligjore në fuqi, më konkretisht:
- neni 4, pika 8 dhe neni 24, pika 1, shkronja “gj” e ligjit nr. 9662, datë 18.12.2006 ”Për bankat në Republikën e Shqipërisë”, i ndryshuar;
- neni 25 i ligjit për bankat, pas vlerësimit të të gjitha kushteve ligjore të ndryshimit të pjesëmarrjes influencuese të bankës ose degës së bankës së huaj;
- rregullorja nr.14, datë 11.03.2009 “Për licencimin dhe ushtrimin e veprimtarisë së bankave dhe degëve të bankave të huaja në Republikën e Shqipërisë”, nenit 17 të saj, me plotësimin e kushteve dhe dokumentacionit të nevojshëm për t’u paraqitur në Bankën e Shqipërisë.
- vërtetimin e autoritetit të tatim-taksave, për shlyerjen e detyrimeve tatimore nga shoqëria Tranzit sh.p.k.;
- vërtetimet e regjistruesit të shoqërive në Ishujt Kajman, për dy aksionarët e tërthortë, New Century Holdings XI, L.P. dhe NCH Balkan Fund, L.P., ku vërtetohej që dy shoqëritë janë të përjashtuara nga taksat;
- vërtetimet e regjistruesit të shoqërive në Ishujt Kajman, për dy aksionarët e tërthortë, New Century Holdings XI, L.P. dhe NCH Balkan Fund, L.P., ku vërtetohej që dy shoqëritë janë në gjendje të mirë dhe vijojnë aktivitetin;
- vërtetimin e Drejtorisë së Përgjithshme të Parandalimit të Pastrimit të Parave për Tranzit sh.p.k. dhe NCH Capital, sipas të cilit nuk ka informacion me interes për reputacionin e tyre;
- çdo deklarim të bërë nga aksionarët deri në përfituesit e fundit (z. George Rohr dhe Moris Tabacinic) në lidhje me shlyerjen e detyrimeve tatimore, mosndjekjes penale, mosdënimin më parë për vepra penale, mospasjes së detyrimeve ndaj personave të tretë, etj.;
- dokumentin e konfirmimit nga Ambasada Amerikane në Shqipëri se NCH Capital Inc. është një shoqëri e regjistruar në Komisionin e Letrave me Vlerë në Shtetet e Bashkuara të Amerikës (SEC), dhe si e tillë i është nënshtruar mbikëqyrjes dhe rregullimit nga ky autoritet.
Deklaratën e plotë mund ta lexoni edhe Këtu
DEKLARATA e BANKËS SË SHQIPËRISË
Sqarim mbi deklaratat lidhur me Bankën Amerikane të Investimeve
Pas një serie deklaratash në adresë të Bankës së Shqipërisë, si dhe në kuadër të transparencës mbi vendimmarrjet dhe të sqarimit më të mirë të interesit publik, Banka e Shqipërisë e çmon të nevojshme të përcjellë një sqarim të plotë, lidhur me këto deklarata mbi Bankën Amerikane të Investimeve.
Transferimi i pjesëmarrjes në kapital
Banka e Shqipërisë me Vendim Nr. 73 të datës 7 tetor 2015 të Këshillit Mbikëqyrës ka miratuar transferimin në masën 100 për qind të pjesëmarrjes influencuese në kapitalin aksionar të Bankës Credit Agricole Shqipërisë sh.a. nga IUB Holding, Francë tek shoqëria Tranzit sh.p.k., subjekt financiar jobankë regjistruar në regjistrin tregtar pranë Qendrës Kombëtare të Biznesit, në vitin 2009 e pajisur nga Banka e Shqipërisë me licencën nr. 20, datë 04.08.2010, për të ushtruar veprimtarinë financiare të kredidhënies.
Pas këtij vendimi, në dhjetor 2015 është miratuar ndryshimi i emrit të Bankës Credit Agricole, Shqipëri në Banka Amerikane e Investimeve.
Baza ligjore e vendimmarrjes
Miratimi paraprak i transferimit të 100 për qind të pronësisë së aksioneve të kapitalit të Bankës Credit Agricole Shqipëri, nga “IUB Holding” SA, Francë (shitësi) tek Shoqëria “Tranzit” shpk. (blerësi) është shqyrtuar, vlerësuar dhe miratuar në bazë dhe në përputhje me dispozitat ligjore dhe nënligjore në fuqi, më konkretisht:
neni 4, pika 8 dhe neni 24, pika 1, shkronja “gj” e ligjit nr. 9662, datë 18.12.2006 ”Për bankat në Republikën e Shqipërisë”, i ndryshuar;
neni 25 i ligjit për bankat, pas vlerësimit të të gjitha kushteve ligjore të ndryshimit të pjesëmarrjes influencuese të bankës ose degës së bankës së huaj;
rregullorja nr.14, datë 11.03.2009 “Për licencimin dhe ushtrimin e veprimtarisë së bankave dhe degëve të bankave të huaja në Republikën e Shqipërisë”, nenit 17 të saj, me plotësimin e kushteve dhe dokumentacionit të nevojshëm për t’u paraqitur në Bankën e Shqipërisë.
Banka e Shqipërisë, në përputhje me kërkesat ligjore dhe rregullative, ka vlerësuar integritetin dhe reputacionin e aksionerëve të rinj si edhe të aksionerëve të tërthortë të Bankës, bazuar në dokumentacionin e mëposhtëm:
vërtetimin e autoritetit të tatim-taksave, për shlyerjen e detyrimeve tatimore nga shoqëria Tranzit sh.p.k.;
vërtetimet e regjistruesit të shoqërive në Ishujt Kajman, për dy aksionarët e tërthortë, Neë Century Holdings XI, L.P. dhe NCH Balkan Fund, L.P., ku vërtetohej që dy shoqëritë janë të përjashtuara nga taksat;
vërtetimet e regjistruesit të shoqërive në Ishujt Kajman, për dy aksionarët e tërthortë, Neë Century Holdings XI, L.P. dhe NCH Balkan Fund, L.P., ku vërtetohej që dy shoqëritë janë në gjendje të mirë dhe vijojnë aktivitetin;
vërtetimin e Drejtorisë së Përgjithshme të Parandalimit të Pastrimit të Parave për Tranzit sh.p.k. dhe NCH Capital, sipas të cilit nuk ka informacion me interes për reputacionin e tyre;
çdo deklarim të bërë nga aksionarët deri në përfituesit e fundit (z. George Rohr dhe Moris Tabacinic) në lidhje me shlyerjen e detyrimeve tatimore, mosndjekjes penale, mosdënimin më parë për vepra penale, mospasjes së detyrimeve ndaj personave të tretë, etj.;
dokumentin e konfirmimit nga Ambasada Amerikane në Shqipëri se NCH Capital Inc. është një shoqëri e regjistruar në Komisionin e Letrave me Vlerë në Shtetet e Bashkuara të Amerikës (SEC), dhe si e tillë i është nënshtruar mbikëqyrjes dhe rregullimit nga ky autoritet.
Përbërja e aksionarëve
Informacionet mbi aksionarët e shoqërive janë informacione të publikuara dhe gjenerohen lehtësisht nga regjistrat publikë tregtarë, megjithatë gjejmë me vend të sqarojmë se:
aksionar i drejtpërdrejtë dhe i vetëm, duke zotëruar 100 për qind të aksioneve të Bankës Amerikane të Investimeve, është shoqëria Tranzit shpk, e regjistruar në regjistrin tregtar pranë Qendrës Kombëtare të Regjistrimit, Shqipëri që në vitin 2009.
Shoqëria Tranzit shpk kontrollohet nga NCH Balkan Fund L.P. dhe Neë Century Holdings XI, L.P.. Këto fonde financohen nga investitorë të cilët janë universitete të mirënjohura, fonde pensionesh shtetërore dhe korporata e institucione të tjera nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Mbretëria e Bashkuar dhe Evropa Perëndimore.
Të dyja këto fonde menaxhohen nga NCH Capital Inc., një shoqëri konsulente investimesh e regjistruar në SEC, SHBA, me përvojë të gjatë në sektorin financiar dhe prej më shumë se 20 vitesh pjesë e sektorit bankar në Evropën Qendrore dhe Juglindore përmes kapitalit bankar në Rumani, Letoni dhe Moldavi.
Njëherazi, sqarojmë se kuadri ligjor dhe rregullativ mbi bankat në Republikën e Shqipërisë nuk parashikon ndalime apo kufizime lidhur me vendin e regjistrimit apo të ushtrimit të aktivitetit të aksionarëve të tërthortë të subjekteve, të cilët ushtrojnë veprimtari bankare në Republikën e Shqipërisë.
Pavarësisht sa më sipër, Banka e Shqipërisë në përputhje me parashikimet ligjore, por dhe me standardet ndërkombëtare (përfshirë standardet e FATF) në raste të kompanive të regjistruara në vend off-shore ka kryer vlerësimet e saj dhe ka identifikuar aksionarët deri në përfituesit e fundit.
Vlerësimi i integritetit apo reputacionit të aksionarëve të drejtpërdrejtë dhe të tërthortë të bankës është bazuar në një seri dokumentesh të tilla si: vërtetime të autoriteteve të tatim-taksave për shlyerje të detyrimeve tatimore, korrespondencën me Drejtorinë e Përgjithshme të Parandalimit të Pastrimit të Parave (DPPPP), apo deklarimeve të bëra nga aksionarët deri në përfituesit e fundit, në lidhje me shlyerjen e detyrimeve tatimore, mosndjekjes penale, mosdënimit më parë për vepra penale, mospasjes së detyrimeve ndaj personave të tretë, etj.
Dispozita ligjore të SHBA të zbatueshme në sektorin bankar shqiptar
Gjithashtu, dëshirojmë të informojmë publikun se më 18 mars 2010, Shtetet e Bashkuara miratuan dispozita ligjore të cilat njihen me emrin “Akti Amerikan i Llogarive të Huaja për Pajtueshmëri Tatimore”, të cilat paraqesin kërkesa për raportim nga institucionet e huaja financiare (IHF-të) në lidhje me llogari të caktuara.
Akti Amerikan i Llogarive të Huaja për Pajtueshmëri Tatimore (FATCA), i miratuar në vitin 2010 si pjesë e Aktit të Nxitjes së Punësimit për Rimëkëmbje të Punësimit (HIRE), është zhvillim i rëndësishëm në përpjekjet e SHBA-ve për të luftuar evazionin fiskal nga personat me shtetësi amerikane që kanë investime në llogari jashtë vendit të tyre.
Sipas FATCA-s, taksapaguesit e caktuar të SHBA-ve që mbajnë pasuri financiare jashtë Shteteve të Bashkuara duhet t’i raportojnë ato pasuri në Shërbimin e të Hyrave të Brendshme (IRS). Po ashtu, FATCA u kërkon institucioneve të huaja financiare t’i raportojnë drejtpërdrejt IRS-së informata rreth llogarive financiare që zotërohen nga taksapaguesit e SHBA-ve, apo nga entitetet e huaja, në të cilat taksapaguesit e SHBA-ve zotërojnë interesa të konsiderueshme të lidhur me pronësinë.
Sistemi bankar shqiptar, që nga korriku i vitit 2014, e kryen aktivitetin e tij në përputhje me kërkesat dhe rregullimet e FATCA-s. Secila bankë raporton pranë IRS të gjitha llogaritë, investimet, dërgesat e bëra nga shtetas amerikanë, rezidentë amerikanë që përdorin një adresë apo që i kanë dhënë një prokurë përfaqësimi për llogaritë bankare apo transfertat një shtetasi apo rezidenti amerikan.
Mbi masat parandaluese kundër Pastrimit të Parave dhe Financimit të Terrorizmit
Së fundi, theksojmë se ruajtja e integritetit të sistemit financiar dhe mbikëqyrja e duhur e mjaftueshmërisë dhe efektivitetit të masave parandaluese për PPP/PFT për të gjithë subjektet e ligjit ka pasur vëmendjen parësore të BSH-së.
Kjo vëmendje është materializuar përmes inspektimeve në vend, bashkëpunimit me DPPPP, takimeve të punës, trajnimeve të përbashkëta, etj. Nga inspektimet e kryera në vend ka rezultuar se përgjithësisht ka një nivel të kënaqshëm përputhshmërie të tyre me detyrimet ligjore dhe nënligjore, si dhe janë menaxhuar me efektivitet rreziqet që vijnë nga pastrimi i parave/financimi i terrorizmit.
Më konkretisht, subjektet banka kanë hartuar dhe zbatuar politikat dhe procedurat e duhura; kanë ndërtuar strukturat e përshtatshme; kanë ndërtuar sistemet e centralizuara dhe funksionimin e tyre; kanë vënë në funksion sistemet e kontrollit të brendshëm; kanë hartuar dhe zbatuar programet e trajnimit; kanë zbatuar detyrimet ligjore mbi raportimet, kanë rritur cilësinë e raporteve të aktivitetit të dyshimtë dhe analizën e transaksioneve komplekse e të pazakonta që janë kryer apo tentohen të kryhen, etj.
Vlerësimi nga Komiteti Moneyval i KiE
Në procesin e vlerësimit (raundi i pestë) nga Komiteti Moneyval i KiE-së për çështjet e parandalimit të pastrimit të parave, financimit të terrorizmit, përshtatshmërisë ligjore, efektivitetit, etj. masat e marra nga bankat në kuadër të PPP/PFT janë vlerësuar pozitivisht nga ekspertët.
Më konkretisht, si raportohet në raportin Moneyval, subjektet financiare dhe veçanërisht bankat morën vlerësimin “Substantial” për sa u përket çështjeve të përputhshmërisë dhe efektivitetit për PPP/PFT. Ky është dhe vlerësimi më i lartë krahasuar me ato të përftuara nga institucione të tjera të përfshira në këtë vlerësim sipas metodologjisë së re të vlerësimit të FATF[1].
I njëjti kuadër rregullativ dhe mbikëqyrës është zbatuar edhe për Bankën Amerikane të Investimeve, si pjesë e sektorit bankar shqiptar. Banka e Shqipërisë ka qenë rregullisht e pranishme në inspektimin e saj në kuadrin e çështjeve PPP/FT.
Gjithashtu, në kuadrin e mbikëqyrjes së vazhdueshme, ABI Bank, si gjithë pjesa tjetër e sistemit tonë bankar, ka qenë edhe subjekt i vlerësimit nga jashtë, mbi bazën e raportimeve cilësore dhe sasiore që kryhen një herë në vit.
Sipas të dhënave të vitit raportues 2017 për ABI Bank, rezulton se ky institucion ka marrë një vlerësim të integruar në përputhje me mesataren e vlerësimit të sistemit bankar.
Në mbyllje të kësaj deklarate, Banka e Shqipërisë siguron publikun se integriteti dhe reputacioni i aktivitetit financiar të sistemit bankar në Shqipëri, vijon të mbetet një arritje mjaft e çmuar, ku edhe politika ka pasur rolin e saj shumë pozitiv ndër vite.
Sistemi bankar është vlerësuar në vazhdimësi jo vetëm nga institucionet ligjvënëse në Shqipëri, por dhe nga organizma ndërkombëtarë mjaft prestigjiozë, si një aktor me rëndësi dhe kontribut të padiskutueshëm në zhvillimin ekonomiko-shoqëror të vendit.
Banka e Shqipërisë mbetet e hapur për çdo informacion që i shërben transparencës dhe do të vijojë të jetë e përkushtuar në respektimin e detyrimeve të saj kushtetuese, si dhe në zbatimin e detyrave e angazhimeve institucionale.
Vlerat që udhëheqin Bankën e Shqipërisë do të jenë kurdoherë integriteti, profesionalizmi dhe transparenca, ndërkohë që në fokus të punës sonë do të mbetet gjithnjë zhvillimi i sistemit bankar dhe ruajtja e forcimi i stabilitetit financiar të vendit, në përputhje me praktikat e standardet më të mira ndërkombëtare.