Vendosni fjalën kyçe....

Gjermania e prerë kundër korrigjimit të kufijve: Sjell destabilizim në rajon!


Pas takimit me kryetarin e Kuvendit të Shqipërisë, Gramoz Ruçi, ministri gjerman Michael Roth, ka deklaruar se korigjimi i kufijve mes Kosovës dhe Serbisë, mund të sjellë destabilizim në rajon.

“Integriteti territorial i vendeve të Ballkanit Perëndimor është i rëndësishëm për ne. Përpjekja për zhvendosje kufijsh ka shkaktuar vuajtje të pafundme në të kaluarën. Prandaj, sipas meje, këto përsiatje, jo vetëm që nuk premtojnë shumë sukses, por janë edhe tejet të rrezikshme. Çfarë na nevojitet, është një marrëveshje gjithëpërfshirëse, e cila i rregullon përfundimisht marrëdhëniet, i mundëson Serbisë dhe Kosovës të anëtarësohen në BE dhe i zgjidh me marrëveshje të gjitha çështjet teknike që janë ende të hapura. Nga Shqipëria  ne presim që kjo ta përdorë në mënyrë konstruktive ndikimin e saj politik dhe të vazhdojë të angazhohet në mënyrë konstruktive për stabilitet në të gjithë rajonin. Kjo vlen veçanërisht për çështjet që kanë të bëjnë me normalizimin ndërmjet Kosovës dhe Serbisë. Mund të jetë vetëm në interes të Shqipërisë, si pjesë e rajonit, që të parandalojë me çdo kusht një destabilizim të ri të Ballkanit Perëndimor, gjë që detyrimisht do të vijonte nga ndryshimi i kufijve.”, tha Roth në një intervistë për Deutche Welle, duke e bërë kështu të qartë qëndrimin e Gjermanisë, kundër ndryshimit të kufijve.

Ndër të tjera, Roth shtoi se vërtet ka qëndrime të ndryshime nga shtetet e tjera, lidhur me këtë çështje, por sipas tij një marrëveshje mes dy vendeve që rrit stabilitetin nuk mund të arrihet përmes ndryshimit të kufijve.

“Është e vërtetë se ka qëndrime të ndryshme në lidhje me ndryshimet kufitare. Qëndrimi ynë është se një marrëveshje mes Kosovës dhe Serbisë duhet ta rrisë stabilitetin në të dyja vendet dhe në rajon. Unë nuk shoh se si mund të arrihet kjo me ndryshime kufijsh. Përkundrazi, Ballkani Perëndimor nuk do të binte në qetësi. Nga vendet fqinje dëgjoj vazhdimisht se ata janë të shqetësuar për këtë diskutim, sepse shohin rrezikun e efektit të dominosë. Për proceset e anëtarësimit në BE kjo me siguri që nuk do të ishte aspak e dobishme.”, tha ministri gjerman.


Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *