Vendosni fjalën kyçe....

I ka mbaruar dënimi, por gruaja mbahet në burg prej 13 vjetësh (VIDEO)


Safete Malajt, një e moshuar 77-vjeçare qëndron në burg prej 13 vitesh, edhe pse dënimi i saj për një krim të kryer në 2005-ën, ishte vetëm 3 vite e 6 muaj burg.

Në emisionin “Top Story” në “Top Channel”, Safete tregoi për krimin për të cilin u fut në burg. Ajo në vitin 2005, ka qëlluar padashur të bijën me armë.

“Unë ndodhëm këtu, kam bërë një gabim, kam plagosur vajzën time. Pa dashje, kam 13 vite që jam këtu brenda dhe vajza më vjen, qe pa dashje se nuk doja të vrisja vajzën time. Qëllova kot ndodhi plotë. Ky është gabimi im i parë në pleqëri. Mora bleva një pistoletë, atë ditë që e bleva bëra dasmën. Doja të provoja pistoletën, vajza po vinte dhe e goditi në sup. Ja kështu ka qenë. Nuk ka qenë me sherr”, – rrëfen Safete Malaj.

Dënimi që gjykata i dha gruas ishte 3 vite e 6 muaj, por sot asaj i janë bërë plot 13 vite në burg. Edhe sikur gjykata të kishte dhënë dënim maksimal për të, pra 10 vjet burg, siç e parashikon Kodi Penal, sërish Safetja duhej të ishte jashtë burgu. Por ajo vijon dënimin.

Sikurse raportohet në emision, shkak për këtë është bërë një ngërç institucional për ta rehabilituar në azilin e pleqve. Kështu Safete vazhdon burgun, bashkë me 22 gra të sëmura mendërisht.

 “Ngërçi i Safetës është tek ligjet në fuqi. Safetja ka një vendim gjykate për mjekim të detyruar. Dhe që Safetja të dalë në jetë normale, duhet që të ketë garant një person nga familja, që të kalojë me mjekim ambulant. Por deri tani ne nuk kemi parë që ti vijë ndonjë njeri nga familja, dhe ngelet në spitalin e burgut sepse nuk ka një person që ti dalë garant. Nuk e di si do të funksionojë, ajo mund të rri shumë mirë në një azil pleqsh sepse nuk ka pasur ndonjëherë agresivitet”, – thotë Apostol Luca, Drejtor i Spitalit të Burgut.

Nuk dihet pse fëmijët nuk e vizitojnë më Safeten, por ajo tanimë e mbetur vetëm duhej që së paku të shkonte në një azil. Sipas psikiatres së burgut, Mirjeta Gogaj, po të ishte e shtruar tek spitali psikiatrik, Safetja mund të dilte me mjekim ambulator, të jetonte normalisht si çdo i sëmurë tjetër.

 “Nuk përbën rrezik për shoqërinë Safetja, ajo mund të jetë si çdo i moshuar tjetër që merr një mjekim ambulator jashtë”, tha Mirjeta Gogaj, Psikiatre, Spitali i Burgut.

Por, Safetja nuk duhet të qëndrojë në spitalin e burgut, pasi gjendja depresive mund t’i rikthehet si pasojë e kontaktit të vazhdueshëm me të sëmurët mendorë. E moshuara 77-vjeçare,tregon se pasi ka kryer krimin ka tentuar të pijë helm, por kanë qenë fëmijët që e kanë ndaluar.

Nëse fëmijët do të pranonin të ëmën në shtëpi, atëherë Safetja lirohet menjëherë nga Spitali i Burgut. Por ata refuzojnë ta marrin atë në shtëpi dhe sërish përfitojnë nga ajo pensionin.


Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *