Politikanët në të gjithë botën komentohen për veshjet e tyre, por një politikane në Brazil është jo vetëm komentuar por sulmuar për shkak të veshjes që i zbulonte pak më shumë se ç’duhej.
Ana Paula da Silva, e njohur si Paulinha, kishte shërbyer më parë si kryetare bashkie, përpara se të zgjidhej në Kuvendin Legjislativ të Santa Catarina-s në tetor.
Mirëpo fotot e saj në ditën e hapjes së Kuvendit u bënë virale në rrjet, për shkak të veshjes së saj. Një fustan i kuq që i zbulonte gjoksin.
Da Silva thotë se ajo do të padisë të gjithë ata që e abuzojnë online, shkruan “RT”.
Ndër komentet e shumta, kishte nga ata që hidhnin sugjerime se politikanja pas Kuvendit mund të ketë shkuar për të festuar në një klub nate, ose kishte edhe nga ata që shkruanin se Da Silva ishte “përfaqësuese e prostitutave në Kuvend”.
Paulinha deklaroi këtë të hënë se ekipi i saj ka bërë kopje komenteve fyese dhe të gjithë ata që e kanë sulmuar do të paditen dhe mes tyre rezultonte edhe një oficer policie.
Çdo kompensim që do të marrë, Da Silva tha se do t’i dhurohet për bamirësi një shoqate për gratë e dhunuara.
“Mendova se njerëzit do të flisnin për ngjyrën e kuqe, por ata vetëm u përqëndruan te gjoksi”, tha ajo për rrjetin lokal NSC TV, duke shtuar “mënyra se si unë vishem është problemi im”.
“Gratë kanë gjinj dhe unë kam gjinj të mëdhenj, gjithmonë kështu kam qenë “, tha ajo, duke shtuar se nuk do të ndryshojë për shkak të rolit të saj si deputete.
“Mesazhi është dhënë,” tha ajo. “Gratë janë në politikë dhe shoqëria duhet të mësohet me këtë. Ka çështje shumë më të rëndësishme në Kuvend për të diskutuar.”