Vendosni fjalën kyçe....

Kryemadhi pyet Gjonajn: Je kushërira e Ilir Metës, por na flit pak për bashkëshortin tënd


Kryetarja e Lëvizjes Socialiste për Integrim Monika Kryemadhi, gjatë fjalës së saj në Kuvend ka sulmuar kryeministrin Edi Rama si edhe ministren e Drejtësisë Etilda Gjonajn.

Fillimisht Kryemadhi reagoi lidhur me ngjarjen e rëndë në Kavajë, ku një vajzë 13-vjeçare dyshohet se është përdhunuar nga 8 adoleshentë. Ajo dënoi fshehjen e ngjarjes nga autoritetet, ndërsa replikon edhe për taksat e larta dhe fjalorin e kryeministrit karshi pedagogëve.

“Problematikat e shqiptarëve janë të pafundme dhe nuk di ku ta fillosh e ku ta mbarosh. Duke nisur nga fshehja e një vepre makabre ndaj një fëmije nga fëmijët. Ajo që është më e rëndë sesi vijojmë të vazhdojmë ta mbulojmë edhe më shumë këtë ngjarje. Nuk më bën çudi kur shoh reagime nga Teatri i Kukullave të Ramës, sepse është metoda gënje se shqiptarët do ta besojnë. Ku ta nisësh e ku ta vazhdosh. Me taksat e larta, çmimet e larta, njerëzit që ikin nga Shqipëria apo me një kryeministër të papërgjegjshëm i cili për të rikuperuar paratë shkon në vendet arabe. Dhe vijon me zhargonin e tij duke i quajtur pedagogët qenë. Qeni është një kafshë besnike por ka edhe nga ata qenë që nuk e di se ç’do të thotë të jesh qen.”, thotë Kryemadhi.

Më pas kryetarja e LSI-së kritikoi Ministren e Drejtësisë Etilda Gjonaj, duke e akuzuar se po u bën shantazh gjyqtarëve dhe ngriti disa pikëpyetje për të.

Kryemadhi i bëri thirrje ministres të tregojë se përse bashkëshorti i saj është pushuar disa herë nga puna te Tatimet dhe për lidhjet e saj me bastet dhe Ervis Martinajn, një nga personat e përfshirë në vrasjen në ish-Bllok mbrëmjen e 4 tetorit.

 “Nuk po merrem sot me ministren e Drejtësisë sepse nuk qenka këtu në sallë. Por meqenëse ajo paska dëshirë shumë të madhe për të luftuar korrupsionin, po i bëj me dije asaj dhe kryetarit të Komisionit të Ligjeve, që shantazhet ndaj gjyqtarëve dhe prokurorëve quhen shkelje e ligjit. Dhe shumë shpejt do ta ketë të faktuar sesi ajo shantazhon gjyqtarët dhe prokurorët për të arrestuar punonjës të Ministrisë së Drejtësisë, se vetëm në këtë mënyrë do të largojë punonjësit nga Ministria, sepse me gjyq janë kthyer të gjithë në punë. Dhe gabimisht ka futur në listë edhe motrën e sekretares së përgjithshme të njeriut të saj, apo edhe shumë të tjerë bashkëshortë deputetësh këtu në sallë që janë të Partisë Socialiste. A e ka luftë personale të saj apo e ka nga budallallëku, unë për hir të së vërtetës nuk e kam sulmuar duke pasur parasysh që është kushërira e një lidhje familjare të Ilir Metës, për shkak të lidhjeve të mia familjare me të. Por po i bëj me dije që nuk ka asnjë lloj mënyre që mund ta mbrojë Ministren e Drejtësisë duke shantazhuar punonjësit e saj, sepse ajo mund ta dijë shumë mirë që korrupsionin e ka brenda në shtëpinë e saj, në familjen e saj, le ti tregojë shqiptarëve pse është pushuar disa herë burri i saj nga Drejtoria e Tatimeve. Le ti tregojë shqiptarëve cilat janë lidhjet e bashkëshortit të saj me Elvis Martinaj apo dhe me shumë pika të tjera të basteve. Dhe le tu tregojë shqiptarëve cila është lidhja e saj me pjesëtarë të qeverisë apo dhe me avokatët e saj që ka në Kosovë. Prandaj i them znj. Etilda Gjonaj që të jetë shumë e kujdesshme në telefonatat e saj apo dhe në mesazhet që ju çon gjyqtarëve dhe prokurorëve. Sepse vërtetë SPAK-u do të ngrihet shumë shpejt por të jetë e bindu që SPAK-u do ta fillojë me ata të cilët kanë tentuar që ta kapin atë. Sepse SPAK-u është i domosdoshëm për hapjen e negociatave në Shqipëri dhe po të mos hapen negociatat,Shqipëria do të shkojë mbrapa”, tha Kryemadhi.

“Vetëm në një diplomë na e kaloni ju, për t’i lëpirë menderen kryetarit të partisë.”, vijoi më tej kryetarja e LSI-së.


Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *