Vendosni fjalën kyçe....

Aleatët e ngushtë Merkel e Macron, përplasen ashpër për gazsjellësin rus


Parisi është zotuar të mbështesë ndryshimet të një dokumenti kyç, që në thelb kërcënon të bllokojë tubacionin natyror të gazit “Nord Stream 2”, i zhvilluar nga partnerët e saj evropianë, duke përfshirë një nga aleatët më të afërt të Francës, Gjermaninë.

Ministria e Jashtme e Francës tha se Parisi, i cili nuk është pjesë e projektit, po punon me partnerët e BE-së duke përfshirë Gjermaninë, për ndryshimet e mundshme në Direktivën e Gazit, duke theksuar se dëshiron që për të të zbatohet Paketa e Tretë e Energjisë e Bashkimit Evropian.

Njoftimi erdhi të enjten, një ditë përpara një takimi kyç të BE-së për të votuar për këtë çështje. Paketa e Tretë e Energjisë është legjislacioni i BE-së për tregun e brendshëm të gazit dhe energjisë elektrike.

Një nga elementet kryesore të tij është ndryshimi i pronësisë, që ndalon të njëjtën kompani për të prodhuar, transmetuar dhe shitur energji në të njëjtën kohë.

Legjislacioni është përdorur për të penguar projektet ruse të energjisë në BE, duke përfshirë një rol vendimtar në anulimin e projektit të gazsjellësit të Gazpromit, “South Stream” në vitin 2014.

“Qëllimi i rishikimit të direktivës së gazit është të zbatohen rregullat e paketës së tretë të energjisë për të gjitha tubacionet me vendet e treta që hyjnë në Evropë. Direktiva e rishikuar do të zbatohej për projektin “Nord Stream 2” – u tha gazetarëve zëdhënësja e Ministrisë së Jashtme, Agnes von der Muhll.

Deklarata e Ministrisë së Jashtme të Francës konfirmoi raportet e mëhershme nga gazeta gjermane “Süddeutsche Zeitung”. Gazeta citonte burimet e saj duke pretenduar se Parisi dëshiron të mbështesë ndryshimet, pasi ka frikë se thellimi i varësisë nga energjia ruse mund të dëmtojë disa shtete anëtare të BE-së, si Polonia dhe Sllovakia dhe mund të çojë në “probleme strategjike” mes Brukselit dhe Moskës.

Gjermania ka qenë prej kohësh një nga mbështetësett kryesore të tubacionit “Nord Stream 2” dhe u rezistoi përpjekjeve për të ndryshuar rregullat e BE-së. Rregullorja aktuale nuk zbatohet për tubacionet si “Nord Stream 2”, i cili do të transportojë gazin rus nëpërmjet Detit Baltik në Europë. Nëse amendamentet miratohen, Brukseli do të fitojë përparësi mbi projektin.

Për Francën, e cila mbështetet më shumë në energjinë bërthamore sesa gazin natyror, projekti “Nord Stream 2” nuk është aq i rëndësishëm sa është për Gjermaninë. Ndryshimi i qëndrimit për këtë projekt, mund të minojë përpjekjet e Berlinit për të siguruar numrin e nevojshëm të votave kundër rishikimit.

Gazsjellësi “Nord Stream 2”, një projekt prej 11 miliardë dollarësh do të ofrojë gazin natyror rus për konsumatorët evropianë. Tubacioni është vendosur të rrjedhë nga Rusia në Gjermani nën Detin Baltik dhe pritet të dyfishojë kapacitetin e tubacionit ekzistues në 110 miliardë metra kub.

Tubacioni, i kontrolluar nga një degë e gjigantit rus të energjisë “Gazprom”, po ndërtohet në bashkëpunim me firmat gjermane të energjisë “Wintershall” dhe “Uniper”, kompania shumëkombëshe franceze “Engie”, anglo-holandezët e “Shell” dhe “OMV” e Austrisë. /Hashtag.al

VINI RE: Ky material është pronësi intelektuale e RT


Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *