Presidenti i Republikës, Ilir Meta nga Uashingtoni ka nderuar figurat dhe personalitetet e shquara të futbollit shqiptar që me paraqitjet e tyre i dhanë shumë ndër vite Kombëtares së Shqipërisë.
Në një postim në “Facebook”, kreu i shtetit shkruan se portieri Koço Dinella dhe mbrojtësi i Kombëtares, Frederik Gjinali janë dhe do të mbeten frymëzues për të rinjtë, të cilët kanë pasion futbollin.
“Në një ceremoni të veçantë sot në Ambasadën tonë në Uashington kisha privilegjin të nderoj dy figura të shquara të historisë së futbollit shqiptar dhe të ekipit kombëtar: portierin e pamposhtur Koço Dinella dhe mbrojtësin e pakalueshëm Frederik Gjinali. Dy ikona përcaktuese për barazimin historik 0-0 të 17 dhjetorit 1967 që eleminoi kampionen e botës Gjermaninë. Dinella, që mbrojti të paprekur portën e Shqipërisë dhe Gjinali, autor i një goli të mohuar!
Respekt dhe mirënjohje për kontributet e jashtëzakonshme dhe për emocionet që u kanë dhuruar shqiptarëve!
Modele dhe shembuj frymëzues për të gjithë brezat e sportistëve të rinj shqiptarë!”, shkruan Meta.